Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Romakëve 14:13-23

Romakëve 14:13-23 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Prandaj të mos gjykojmë më njëri-tjetrin, por më mirë të kemi kujdes për të mos i vënë vëllait as lak, as pengesë. Unë e di dhe jam i bindur prej Zotit Jezu se asgjë nuk është e papastër vetvetiu. Por nëse dikush e vlerëson diçka si të papastër, atëherë ajo është e papastër për të. Nëse vëllai yt lëndohet për shkak të ushqimit tënd, atëherë ti nuk po sillesh më me dashuri ndaj tij. Për shkak të ushqimit mos e ço drejt humbjes vëllanë tënd, për të cilin vdiq Krishti. Mos bëni që të shahet çka është e mirë për ju. Sepse mbretëria e Perëndisë nuk është të ngrënët e të pirët, por drejtësi, paqe e gëzim në Shpirtin e shenjtë. Kush i shërben kështu Krishtit, i pëlqen Perëndisë dhe miratohet prej njerëzve. Prandaj, të kërkojmë gjërat që sjellin paqen dhe rritjen shpirtërore të të gjithëve. Mos e shkatërro veprën e Perëndisë për shkak të ushqimit. Të gjitha ushqimet janë të pastra, por bën keq ai që, me ushqimin e tij, bëhet gur pengese për tjetrin. Është mirë të mos hash mish, të mos pish verë e as të mos bësh ndonjë gjë tjetër që do të bëhej gur pengese për vëllanë tënd. Besimin që ke, mbaje për vete para Perëndisë. Lum ai që nuk e dënon ndërgjegjja për ushqimet që zgjedh të hajë. Por kush është me dy mendje për sa i përket ushqimit, e megjithatë ha, ai është i dënuar, se nuk vepron sipas asaj që beson. Gjithçka që nuk vjen prej besimit, është mëkat.

Romakëve 14:13-23 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Prandaj të mos e gjykojmë më njëri-tjetrin, por më tepër gjykoni këtë: mos i vini gur pengese ose skandal vëllait. Unë e di dhe jam plotësisht i bindur në Zotin Jezus, se asnjë gjë nuk është e ndyrë në vetvete, por për atë që çmon se diçka është e ndyrë, për atë është e ndyrë. Por nëse vëllai yt trishtohet për shkak të një ushqimi, ti nuk ecën më sipas dashurisë; mos e bëj atë të humbasë me ushqimin tënd atë për të cilin Krishti vdiq. Prandaj le të mos shahet e mira juaj, sepse mbretëria e Perëndisë nuk është të ngrënët dhe të pirët, por drejtësia, paqja dhe gëzimi në Frymën e Shenjtë. Sepse ai që i shërben Krishtit në këto gjëra, është i pëlqyer nga Perëndia dhe i miratuar nga njerëzit. Le të ndjekim, pra, ato që ndihmojnë për paqe dhe për ndërtimin e njëri-tjetrit. Mos e prish veprën e Perëndisë për ushqimin; vërtet, të gjitha gjëra janë të pastra, por bën keq kur dikush ha diçka që i është pengesë. Është mirë të mos hajë mish njeriu, as të mos pijë verë, as të mos bëjë gjë që mund ta çojë vëllanë tënd të pengohet, ose të skandalizohet ose të dobëson. A ke besim ti? Mbaje besimin për veten tënde përpara Perëndisë; lum ai që nuk dënon veten e tij në atë që miraton. Por ai që është me dy mendje, edhe sikur të hajë, është dënuar, sepse nuk ha me besim; dhe çdo gjë që nuk bëhet me besim, është mëkat.