Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Romakëve 10:1-15

Romakëve 10:1-15 AL1

O vëllezër, e dëshiroj me gjithë zemër shpëtimin e Izraelit dhe për këtë i lutem Perëndisë. Unë dëshmoj se ata kanë zell për Perëndinë, por zelli i tyre nuk mbështetet në njohurinë e vërtetë. Ata nuk donin të kuptonin se është vetëm Perëndia ai që i bën të drejtë njerëzit, por kërkuan të bëhen të drejtë me veprat e tyre. Kështu ata nuk iu nënshtruan Perëndisë që mund t'i bënte të drejtë. Krishti i jep fund ligjit me qëllim që të bëhet i drejtë kushdo që beson në të. Moisiu shkruan sesi njeriu mund të bëhet i drejtë përmes ligjit dhe thotë: njeriu që i zbaton urdhërimet e ligjit do të jetojë prej tyre. Ndërsa për atë që bëhet i drejtë përmes besimit, Moisiu thotë kështu: mos thuaj në zemrën tënde: «Kush do të ngjitet në qiell?». Me këtë donte të thoshte se Krishti do të zbriste poshtë. As mos thuaj: «Kush do të zbresë në humnerë?». Me këtë donte të thoshte se Krishti do të ngjallej prej të vdekurve. Por çfarë thotë, pra? Fjala është pranë teje, në gojën e në zemrën tënde. Kjo është fjala e besimit që ne predikojmë. Nëse rrëfen me gojë se Jezui është Zot dhe nëse beson me zemër se Perëndia e ngjalli atë prej të vdekurve, ti do të shpëtohesh. Sepse njeriu beson me zemër dhe Perëndia e bën të drejtë, rrëfen me gojë dhe Perëndia e shpëton. Shkrimi thotë: kush beson në të, nuk do të turpërohet. Sepse nuk ka dallim ndërmjet judeut e helenit: Zoti është i njëjtë për të gjithë dhe është zemërgjerë me të gjithë ata që e thërrasin emrin e tij. Sepse: kush thërret emrin e Zotit, do të shpëtohet. Por, si do ta thërrasin atë të cilit nuk i besuan? Dhe si mund t'i besojnë atij për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë nëse nuk ka njeri t'u predikojë? Dhe si mund të predikojnë nëse nuk janë dërguar? Sikurse është shkruar: sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin lajme të mira !