Romakëve 10:1-15
Romakëve 10:1-15 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
O vëllezër, e dëshiroj me gjithë zemër shpëtimin e Izraelit dhe për këtë i lutem Perëndisë. Unë dëshmoj se ata kanë zell për Perëndinë, por zelli i tyre nuk mbështetet në njohurinë e vërtetë. Ata nuk donin të kuptonin se është vetëm Perëndia ai që i bën të drejtë njerëzit, por kërkuan të bëhen të drejtë me veprat e tyre. Kështu ata nuk iu nënshtruan Perëndisë që mund t'i bënte të drejtë. Krishti i jep fund ligjit me qëllim që të bëhet i drejtë kushdo që beson në të. Moisiu shkruan sesi njeriu mund të bëhet i drejtë përmes ligjit dhe thotë: njeriu që i zbaton urdhërimet e ligjit do të jetojë prej tyre. Ndërsa për atë që bëhet i drejtë përmes besimit, Moisiu thotë kështu: mos thuaj në zemrën tënde: «Kush do të ngjitet në qiell?». Me këtë donte të thoshte se Krishti do të zbriste poshtë. As mos thuaj: «Kush do të zbresë në humnerë?». Me këtë donte të thoshte se Krishti do të ngjallej prej të vdekurve. Por çfarë thotë, pra? Fjala është pranë teje, në gojën e në zemrën tënde. Kjo është fjala e besimit që ne predikojmë. Nëse rrëfen me gojë se Jezui është Zot dhe nëse beson me zemër se Perëndia e ngjalli atë prej të vdekurve, ti do të shpëtohesh. Sepse njeriu beson me zemër dhe Perëndia e bën të drejtë, rrëfen me gojë dhe Perëndia e shpëton. Shkrimi thotë: kush beson në të, nuk do të turpërohet. Sepse nuk ka dallim ndërmjet judeut e helenit: Zoti është i njëjtë për të gjithë dhe është zemërgjerë me të gjithë ata që e thërrasin emrin e tij. Sepse: kush thërret emrin e Zotit, do të shpëtohet. Por, si do ta thërrasin atë të cilit nuk i besuan? Dhe si mund t'i besojnë atij për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë nëse nuk ka njeri t'u predikojë? Dhe si mund të predikojnë nëse nuk janë dërguar? Sikurse është shkruar: sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin lajme të mira !
Romakëve 10:1-15 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Vëllezër, dëshira e zemrës sime dhe lutja që i drejtoj Perëndisë për Izraelin është për shpëtim të tij. Sepse unë dëshmoj për ta se kanë zell për Perëndinë, por jo sipas njohurisë. Sepse duke mos njohur drejtësinë e Perëndisë dhe duke kërkuar të vendosin drejtësinë e vet, nuk iu nënshtruan drejtësisë së Perëndisë, sepse përfundimi i ligjit është Krishti, për shfajësimin e kujtdo që beson. Sepse Moisiu kështu e përshkruan drejtësinë që vjen nga ligji: ''Njeriu që bën këto gjëra, do të rrojë me anë të tyre''. Por drejtësia që vjen nga besimi thotë kështu: ''Mos thuaj në zemrën tënde: ''Kush do të ngjitet në qiell?''. Kjo do të thotë që të zbresë Krishti. Ose: ''Kush do të zbresë në humnerë?''. Kjo do të thotë që të sjellë lart Krishtin prej së vdekurish. Po ç'thotë, pra? ''Fjala është pranë teje, në gojën tënde dhe në zemrën tënde''. Kjo është fjala e besimit, që ne predikojmë; sepse, po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh. Sepse me zemër, njeriu beson në drejtësi dhe me gojë bëhet rrëfim për shpëtim, sepse Shkrimi thotë: ''Kushdo që beson në të, nuk do të turpërohet''. Sepse nuk ka dallim në mes judeut dhe grekut, sepse një i vetëm është Perëndia i të gjithëve, i pasur ndaj të gjithë atyre që e thërrasin. Në fakt: ''Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet''. Si do ta thërrasin, pra, atë, të cilit nuk i besuan? Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë, kur s'ka kush predikon? Dhe si do të predikojnë pa qenë dërguar? Siç është shkruar: ''Sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin paqen, që shpallin lajme të mira!''.