Psalmet 94
94
1O Zot, Perëndi shpagues,
o Perëndi shpagues, shkëlqe!
2Ngrihu, o gjykatës i tokës,
jepu shpagimin krenarëve.
3Deri kur të paudhët, o Zot,
deri kur do të ngadhënjejnë të paudhët?
4Shpotitin e flasin me përbuzje,
mburren tërë ata që bëjnë paudhësi.
5Popullin tënd po e shtypin, o Zot,
trashëgiminë tënde po e mundojnë.
6Vrasin vejushën e të ardhurin,
jetimit i marrin jetën.
7E thonë: «Nuk sheh Zoti,
Perëndia i Jakobit nuk kupton».
8Merrni vesh, o tutkunët e popullit.
Ju, o të pamend, kur do të kuptoni?
9Ai që përftoi veshin nuk dëgjuaka?
Ai që krijoi syrin nuk shikuaka?
10Ai që qorton popujt nuk ndëshkuaka,
ai që dijen i mëson njeriut?
11 Zoti i njeh mendimet e njeriut,
të kota janë ato.
12Lum njeriu që e qorton ti, o Zot,
e me ligjin tënd e mëson,
13për t'i dhënë prehje në ditë fatkeqësie,
derisa të paudhit t'i jetë hapur gropa.
14Se Zoti nuk e braktis popullin e vet,
trashëgiminë e vet nuk e hedh poshtë,
15derisa gjykimi të shpallet sërish me drejtësi,
dhe tërë zemërdrejtët ta ndjekin.
16Kush do të ngrihet për mua kundër të këqijve?
Kush do të dalë për mua kundër të paudhëve?
17Po të mos më kishte ndihmuar Zoti,
për pak do të banoja në vendin e heshtjes.
18Kur thashë: «Po më rrëshqet këmba!»,
më mbajti mirësia jote, o Zot.
19Kur përbrenda më mbytin shqetësimet,
ma gëzojnë shpirtin ngushëllimet e tua.
20A ka lidhje me ty froni i paudhësisë,
i cili sajon rregulla të marra me mashtrim?
21Vërsulen kundër jetës së të drejtit
dhe dënojnë gjakun e pafajshëm.
22Por Zoti u bë streha ime,
Perëndia im, shkëmbi ku gjej strehim.
23Ai do t'i shpaguajë sipas paudhësisë së tyre,
me vetë të keqen e tyre do t'i shfarosë,
Zoti, Perëndia ynë, do t'i shkatërrojë.
Aktualisht i përzgjedhur:
Psalmet 94: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020