Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 77:1-20

Psalmet 77:1-20 AL1

Me zërin tim i thërras Perëndisë, me zërin tim i drejtohem Perëndisë dhe ai më dëgjon. E kërkova Zotin ditën e fatkeqësisë sime, tërë natën i ngrita duart drejt tij pa u lodhur, por shpirti im nuk gjeti ngushëllim. Kujtoj Perëndinë e ofshaj, përsiatem e më merret fryma. selah Qepallat e syve m'i ke mbajtur hapur ti, jam i tronditur e nuk flas dot. Më kujtohen ditët e shkuara, vitet e kaluara qëmoti. Më kujtohen këngët e mia, natën mendoj në zemrën time, shpirti im kërkon të dijë. A mos ka hequr dorë Zoti përgjithmonë? Mos nuk do të na përkrahë më? Mos mori fund përgjithmonë mirësia e tij? Kaq ishte premtimi i tij brez pas brezi? Mos ka harruar Perëndia të ketë mëshirë? Mos nuk është më i dhembshur, se është i zemëruar? selah Ndaj dhe thashë: «Kjo më lëndon, se ka ndryshuar e djathta e të Tejlartit». Sjell ndër mend veprat e ZOTIT, më kujtohen mrekullitë e tij të moçme. Përsiat gjithë punët e tua, mendohem për bëmat e tua. O Perëndi, udha jote është e shenjtë, cili perëndi është i madh si Perëndia ynë? Ti je Perëndia që bën mrekulli, fuqinë tënde e shfaqe ndër popuj. Me forcën e krahut tënd e shpëtove popullin tënd, pasardhësit e Jakobit e të Jozefit. selah Të panë ujërat, o Perëndi, të panë ujërat e u tmerruan, edhe humnerat u drodhën. Retë derdhën ujërat me rrëmbim, mes tyre jehuan gjëmime dhe shigjetat e tua vërshuan. Gjëmimi yt jehoi nëpër stuhi, vetëtimat shndritën botën, toka u drodh e u trand. Nëpër det ishte udha jote, shtigjet e tua mes ujërash të shumtë dhe gjurmët e tua nuk i njihte askush.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë