Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 68:21-35

Psalmet 68:21-35 AL1

Perëndia ynë është Perëndi që shpëton, prej ZOTIT Perëndi vjen shpëtimi nga vdekja. Perëndia do t'ua copëtojë kryet armiqve, kokat tërë flokë atyre që ecin në udhë ligësie. Zoti tha: «Do t'i kthej nga Bashani, nga thellësia e detit do t'i kthej, që këmbët t'i zhytësh në gjakun e armiqve, që gjuha e qenve të tu të lëpijë pjesën e vet». E panë shpurën tënde, o Perëndi, shpurën e Perëndisë tim, mbretit tim, tek hynte në shenjtërore. Para ecnin këngëtarët, pas u vinin muzikantët, mes vashave që u binin dajreve. Bekoni Perëndinë nëpër kuvende, bekoni ZOTIN, ju prej gurrës së Izraelit. Atje u prin Benjamini, më i vogli, pas vijnë prijësit e Judës me trupën e tyre, prijësit e Zabulonit, prijësit e Neftaliut. Perëndia yt urdhëroi të kesh fuqi, fuqinë që Perëndia e shfaqi për ne. Për hir të tempullit tënd në Jerusalem, dhurata do të të sjellin mbretërit. Kanosi egërsirat e kallamishteve, tufën e demave bashkë me viçat e popujve, që të nënshtrohen e pllaka argjendi të sjellin. Shpërndaji popujt që luftës i gëzohen. Dërgata do të vijnë nga Egjipti, Kushi duart do të shtrijë kah Perëndia. O mbretëri të tokës, këndojini Perëndisë, këndojini himne Zotit, selah atij që kalëron mbi qiejt e qiejve të lashtë, atij që ngre zërin, zërin e tij të fuqishëm. Shpallni fuqinë e Perëndisë, madhëria e tij qëndron mbi Izraelin, fuqia e tij më lart se retë.