Te ti, o ZOT, e lartësoj shpirtin tim,
te ti kam besim, o Perëndia im.
Mos lejo të turpërohem,
armiqtë e mi mos ngazëllefshin mbi mua.
Mos u turpërofshin
gjithë sa shpresojnë te ti,
por turpi mbuloftë
ata që më kot bëjnë paudhësi.
O ZOT, dëftemë udhët e tua,
shtigjet e tua m'i mëso.
Udhëhiqmë në të vërtetën tënde
e më mëso,
se ti je Perëndia i shpëtimit tim,
te ti shpresoj tërë ditën.
Kujto, o ZOT, përdëllimet e tua
dhe mirësitë e tua,
se janë prej amshimit.
Mëkatet e rinisë sime mos i kujto,
e as shkeljet e mia,
por kujtomë me dashamirësi,
për hir të mirësisë sate, o ZOT.
I mirë e i drejtë është ZOTI,
prandaj u tregon udhën mëkatarëve.
Të përulurve u prin në drejtësi,
të përulurve ua mëson udhët e tij.
Tërë udhët e ZOTIT
janë mirësi e besnikëri
për ata që ruajnë besëlidhjen
dhe dëshmitë e tij.
Për hir të emrit tënd, o ZOT,
fale fajin tim,
se i rëndë është.
Kush është njeriu që druan ZOTIN?
Atij do t'i mësojë
cilën udhë të zgjedhë.
Shpirti i tij do të jetojë mes të mirash,
pasardhësit e tij do të trashëgojnë dheun.
ZOTI i këshillon ata që e druajnë,
ua bën të ditur besëlidhjen e tij.
Sytë i kam përherë drejt ZOTIT,
ai do të m'i çlirojë këmbët prej lakut.