Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 25:1-15

Psalmet 25:1-15 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)

Te ti, o Zot, vara shpirtinë t’em. O Perëndia em, mbë tyi shpëreva: mos u turpënofsha, as mos qeshshinë me mue anëmiqt e mi. Sepse gjith’ ata qi presinë tyi, s’kanë me u turpënuem; u turpënofshin’ ata qi punojënë pa udhë mbë të kotë. Difto-më udhët’ e tua, o Zot, edhe mëso-më hapat’ e tua. Hiq-më udhënë ndë të vërtetënë tande, edhe mëso-më, se ti je Perëndia i shpëtimit t’em: tyi pres gjithë ditënë. Kuito përdëllimet’ e tu, o Zot, edhe misheriret’ e tu, se janë çë jetet. Mos kuito fajet’ e dielmënisë s’eme, edhe pa-udhëniat e mia; mbas përdëllimit tand kuito-më ti, o Zot, prei së mirësë s’ate. Zoti asht’ i mirë edhe i dreitë, përandai ka me u mësuem udhënë fajtorëvet. Ka me u hiekun’ udhënë të butëvet ndë gjyq, edhe ka me u mësuem udhën’ e vet të butëvet. Gjith’ udhët’ e Zotit janë përdëllim e të vërtetë mb’ata qi ruejënë dhiatën’ e ati edhe deshmimet’ e ati. Për punë të emënit tand, o Zot, ndëje pa-udhëninë t’eme, sepse asht’ e madhe. Cilli asht’ ai njeri qi ka frikë Zotinë? Ati ka me i diftuem udhënë, qi duhetë me sgjedhunë. Shpirti i ati ka me ndenjunë ndë të mira, edhe fara e ati ka me trashiguem dhenë. Të mpëshefunit’ e Zotit asht’ e atyneve qi e kanë frikë, edhe dhiata e vet do të diftohetë tek ata. Syt’ e mi janë kurdo te Zoti, se ai ka me më nxierrë kambëtë prei kurthit.

Psalmet 25:1-15 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Te ti, o Zot, e lartoj shpirtin tim. O Perëndia im, kam besim te ti; bëj që të mos mbetem i zhgënjyer dhe që armiqtë e mi të mos triumfojnë mbi mua. Po, bëj që asnjë nga ata që kanë besim te ti të mos zhgënjehet; u turpërofshin ata që sillen pabesisht pa shkak. O Zot, më trego rrugët e tua, më mëso shtigjet e tua. Më udhëhiq në të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je Perëndia i shpëtimit tim; unë shpresoj shumë te ti gjatë gjithë ditës. Kujto, o Zot, mëshirën tënde dhe mirësinë tënde, sepse janë të përhershme. Mos i kujto mëkatet e rinisë sime, as shkeljet e mia; por në dashamirësinë tënde më kujto, o Zot, për hir të mirësisë sate. Zoti është i mirë dhe i drejtë, prandaj ai do t'u mësojë rrugën mëkatarëve. Ai do të udhëheqë njerëzit zemërbutë në drejtësi dhe do t'u mësojë të përulurve rrugën e tij. Të gjitha rrugët e Zotit janë mirësi dhe vërtetësi për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe porositë e tij. Për hir të emrit tënd, o Zot, fale paudhësinë time, sepse ajo është e madhe. Kush është njeriu që ka frikë nga Zoti? Ai do t'i tregojë rrugën që duhet të zgjedhë. Ai do të jetojë në bollëk dhe pasardhësit e tij do të trashëgojnë tokën. Sekreti i Zotit u tregohet atyre që kanë frikë prej tij, dhe ai u bën të njohur atyre besëlidhjen e tij. Sytë e mi drejtohen vazhdimisht te Zoti, sepse ai do të m'i nxjerrë këmbët nga rrjeta.