Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 145:1-21

Psalmet 145:1-21 AL1

Do të të lartësoj, o Perëndi, Mbreti im, do ta bekoj emrin tënd përjetë e në amshim. Çdo ditë do të të bekoj, emrin tënd do ta lavdëroj përjetë e në amshim. I madh është ZOTI e fort i lavdërueshëm, madhështia e tij e pashqyrtueshme. Breznia breznisë do t'ia lëvdojë veprat e tua, do t'i shpallë mrekullitë e tua. Shkëlqimin e lavdishëm të madhështisë sate dhe veprat e tua të mrekullueshme do të përsiatë. Do të flasin për fuqinë e bëmave të tua, e unë, do të kumtoj madhështinë tënde. Do të përhapin kujtimin e mirësisë sate të madhe, do të brohorasin për drejtësinë tënde. I mëshirshëm e i dhembshur është ZOTI, i ngadaltë në zemërim e plot mirësi. I mirë është ZOTI me të gjithë, i dhembshur me gjithë krijesat e tij. Gjithë veprat e tua do të të përlëvdojnë, o ZOT, besnikët e tu do të të bekojnë. Do të flasin për lavdinë e mbretërisë sate, do të rrëfejnë për fuqinë tënde. Do t'u shpallin bijve të njerëzve bëmat e tua dhe lavdinë e madhështisë së mbretërisë sate. Mbretëria jote është mbretëri e amshuar, pushteti yt është brez pas brezi. ZOTI i përkrah tërë ata që pengohen e i ngre tërë të kërrusurit. Të gjithë i kanë sytë nga ti e presin, që t'u japësh ushqimin në kohën e duhur. Ti e hap dorën dhe çdo qenieje të gjallë ia plotëson dëshirën. I drejtë është ZOTI në gjithë udhët e tij, besnik në të gjitha veprat e tij. ZOTI është pranë të gjithë atyre që e thërrasin, të gjithë atyre që e thërrasin me çiltërsi. Ua plotëson dëshirën atyre që e druajnë, ua dëgjon përgjërimin e i shpëton. ZOTI i mbron të gjithë ata që e duan, ndërsa tërë të paudhët do t'i shkatërrojë. Goja ime do të shpallë lavdërim për ZOTIN, çdo gjallesë do të bekojë emrin e tij të shenjtë, përjetë e në amshim.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë