Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 145:1-21

Psalmet 145:1-21 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)

Kam me të naltuem, o Perëndia em, Mbëret, edhe kam me bekuem emëninë tand për gjithë jetënë, edhe për gjithë jetënë. Përditë kam me të bekuem, edhe kam me lavduem emëninë tand për gjithë jetënë, edhe për gjithë jetënë. Zoti asht’ i math, e fort i lavdurueshim, edhe madhënis’ ati s’i gjindetë fund. Brezi brezit ka me lavduruem punët’ e tua, edhe ka me treguem fuqinë tande. Kam me folë për madhënin’ e lavdisë shenjtënisë s’ate, edhe për punët e tua të mërekullueshimetë; edhe kanë me folë për fuqin’ e punëvet tua të frikshimevet, edhe kam me treguem madhëninë tande. Kanë me prumë ndër mend të shumën’ e së mirësë s’ate, edhe kanë me u gëzuem për dreitëninë tande. Zoti asht’ i dhimpshim edhe i përdëllyeshim, zemërë-gjanë edhe përdëllim-math; Zoti asht’ i mirë mbë të gjithë, edhe përdëllimet’ e ati janë mbi gjithë punët e ati. Gjithë punët’ e tua, o Zot, kanë me të lavduruem, edhe të dreitët’ e tu kanë me të bekuem. Kanë me thanë për lavdin’ e mbëretënisë s’ate, edhe kanë me folë për madhëninë tande. Për me bamë të ditunë te të bijt’ e njerëzëvet madhënin’ e ati, edhe lavdin’ e madhënisë mbëretënis’ ati. Mbëretënia jote ashtë nji mbëretëni e gjithë jetëvet, edhe pushteti yt ashtë mbë gjithë brezat. Zoti ngre gjith’ ata qi bienë, edhe dreiton gjith’ ata qi janë të kurrusunë. Syt’ e të gjithëve shpërejënë mbë tyi, edhe ti u ep ushqiminë me kohë. Hap dorënë tande, edhe mbush me të mira çdo gja të gjallë. Zoti asht’ i dreitë mbë gjith’ udhët e veta, edhe i mirë mbë gjithë punët e veta. Zoti ashtë ndaj gjith’ ata qi thërresinë mb’ate, ndaj gjith ata qi thërresinë mb’ate me të vërtetë. Ban dëshërimin’ e atyne qi e druejënë, edhe ndigjon të bërtitunit’ e atyne, edhe i shpëton. Zoti ruen gjith’ ata qi e duenë, edhe ka me prishunë gjithë të pa-besëtë. Goja eme ka me folë lavdurimin’ e Zotit, edhe çdo mish le të bekojë të shenjtënuemin’ emënin’ e ati për gjithë jetënë, edhe për gjithë jetënë.

Psalmet 145:1-21 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Do të të lartësoj, o Perëndi, Mbreti im, do ta bekoj emrin tënd përjetë e në amshim. Çdo ditë do të të bekoj, emrin tënd do ta lavdëroj përjetë e në amshim. I madh është ZOTI e fort i lavdërueshëm, madhështia e tij e pashqyrtueshme. Breznia breznisë do t'ia lëvdojë veprat e tua, do t'i shpallë mrekullitë e tua. Shkëlqimin e lavdishëm të madhështisë sate dhe veprat e tua të mrekullueshme do të përsiatë. Do të flasin për fuqinë e bëmave të tua, e unë, do të kumtoj madhështinë tënde. Do të përhapin kujtimin e mirësisë sate të madhe, do të brohorasin për drejtësinë tënde. I mëshirshëm e i dhembshur është ZOTI, i ngadaltë në zemërim e plot mirësi. I mirë është ZOTI me të gjithë, i dhembshur me gjithë krijesat e tij. Gjithë veprat e tua do të të përlëvdojnë, o ZOT, besnikët e tu do të të bekojnë. Do të flasin për lavdinë e mbretërisë sate, do të rrëfejnë për fuqinë tënde. Do t'u shpallin bijve të njerëzve bëmat e tua dhe lavdinë e madhështisë së mbretërisë sate. Mbretëria jote është mbretëri e amshuar, pushteti yt është brez pas brezi. ZOTI i përkrah tërë ata që pengohen e i ngre tërë të kërrusurit. Të gjithë i kanë sytë nga ti e presin, që t'u japësh ushqimin në kohën e duhur. Ti e hap dorën dhe çdo qenieje të gjallë ia plotëson dëshirën. I drejtë është ZOTI në gjithë udhët e tij, besnik në të gjitha veprat e tij. ZOTI është pranë të gjithë atyre që e thërrasin, të gjithë atyre që e thërrasin me çiltërsi. Ua plotëson dëshirën atyre që e druajnë, ua dëgjon përgjërimin e i shpëton. ZOTI i mbron të gjithë ata që e duan, ndërsa tërë të paudhët do t'i shkatërrojë. Goja ime do të shpallë lavdërim për ZOTIN, çdo gjallesë do të bekojë emrin e tij të shenjtë, përjetë e në amshim.

Psalmet 145:1-21 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Unë do të të përlëvdoj, o Perëndia im dhe Mbreti im, dhe do të bekoj emrin tënd përjetë. Do të të bekoj çdo ditë dhe do të lëvdoj emrin tënd përjetë. Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë dhe madhështia e tij është e panjohshme. Një brez do t'i shpallë lëvdimet e veprave të tua tjetrit dhe do t'i njoftojë mrekullitë e tua. Do të mendohem thellë mbi shkëlqimin e lavdishëm të madhështisë sate dhe mbi veprat e tua të mrekullueshme. Këto do të flasin për fuqinë e veprave të tua të tmerrshme, dhe unë do të tregoj madhështinë tënde. Ata do të shpallin kujtimin e mirësisë sate të madhe dhe do të këndojnë me gëzim drejtësinë tënde. Zoti është i dhembshur dhe mëshirplotë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi. Zoti është i mirë me të gjithë dhe plot dhembshuri për të gjitha veprat e tij. Tërë veprat e tua do të të kremtojnë, o Zot, dhe shenjtorët e tu do të të bekojnë. Ata do të flasin për lavdinë e mbretërisë sate dhe do të tregojnë për fuqinë tënde, për t'u bërë të njohura bijve të njerëzve mrekullitë e tua dhe shkëlqimin e madhërishëm të mbretërisë sate. Mbretëria jote është një mbretëri përjetë dhe sundimi yt vazhdon brez pas brezi. Zoti përkrah tërë ata që rrëzohen dhe ngre përsëri në këmbë tërë ata që janë rrëzuar. Sytë e të gjithëve shikojnë drejt teje duke pritur, dhe ti u jep atyre ushqimin në kohën e duhur. Ti e hap dorën tënde dhe plotëson dëshirën e çdo qenieje të gjallë. Zoti është i drejtë në të gjitha rrugët e tij dhe dashamirës në të gjitha veprat e tij. Zoti është pranë gjithë atyre që kërkojnë, pranë gjithë atyre që e kërkojnë në të vërtetë. Ai kënaq dëshirën e atyre që kanë frikë prej tij, dëgjon britmën dhe i shpëton. Zoti mbron të gjithë ata që e duan dhe do të shkatërrojë të gjithë të pabesët. Goja ime do të tregojë lëvdimin e Zotit, dhe çdo qenie do të bekojë emrin e tij të shenjtë përjetë.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë