Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 132:1-18

Psalmet 132:1-18 AL1

Kujto, o ZOT, Davidin dhe gjithë mundimet e tij, si iu betua ZOTIT, si iu zotua të fuqishmit të Jakobit: «Nuk do të hyj nën pullazin e shtëpisë sime, nuk do të bie në shtrojën e shtratit tim, nuk do t'u jap gjumë syve të mi e as dremitje qepallave të mia, derisa të gjej një vend për ZOTIN, një banesë për të fuqishmin e Jakobit». Ja, dëgjuam se arka ishte në Efratë, e gjetëm në fushat e Jaarit. Le të hyjmë në banesën e Zotit, le të përkulemi me nderim te shtroja e këmbëve të tij. Ngrihu, o ZOT, dhe eja në vendin e prehjes sate, ti dhe arka jote e fuqishme. Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi dhe besnikët e tu le të brohorasin. Për hir të Davidit, shërbëtorit tënd, mos e hidh poshtë të vajosurin tënd. ZOTI iu betua me të vërtetë Davidit e nuk do ta shkelë betimin: «Do të vë mbi fronin tënd një nga frytet e barkut tënd. Në mbajtshin bijtë e tu besëlidhjen time dhe dëshmitë që do t'u mësoj, edhe bijtë e tyre përgjithmonë mbi fronin tënd do të ulen». Ja, ZOTI zgjodhi Sionin, atë pëlqeu për banesë të tij. «Ky do të jetë përjetë vendi i prehjes sime, këtu do të banoj, se më pëlqen. Prodhimet e tij do t'i bekoj pa masë, të varfrit e tij do t'i ngij me bukë. Priftërinjtë e tij do t'i vesh me shpëtim, besnikët e tij do të brohorasin nga gëzimi. Atje do t'i rrit Davidit një pinjoll, e kam gati llambën për të vajosurin tim. Armiqtë e tij do t'i vesh me turp, por mbi kokë do t'i shkëlqejë kurora».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë