Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 119:41-72

Psalmet 119:41-72 AL1

Ardhtë mbi mua mirësia jote, o ZOT, shpëtimi yt, sipas fjalës sate, që t'u përgjigjem atyre që më poshtërojnë, se te fjala jote kam besim. Mos ma hiq kurrë nga goja fjalën e së vërtetës, se në vendimet e tua kam shpresuar. Do ta ruaj ligjin tënd përgjithmonë, përherë e në amshim. Do të eci udhës së gjerë, sepse kërkoj porositë e tua. Para mbretërve do të flas për dëshmitë e tua e turp nuk do të kem. Do të kënaqem me urdhërimet e tua, që aq fort i dua. Duart do t'i ngre drejt urdhërimeve të tua, që i dua, rregullat e tua do t'i përsiat. Kujtohu për fjalën që i dhe shërbëtorit tënd, me të cilën më dhe shpresë. Atë e kam ngushëllim në pikëllime, fjala jote më mban gjallë. Kryelartët më përqeshnin së tepërmi, por unë nuk u shmanga nga ligji yt. Kujtova vendimet e tua të lashta, o ZOT, dhe gjeta ngushëllim. Më pushtoi zemërimi për të paudhët, për ata që braktisin ligjin tënd. Rregullat e tua ishin këngë për mua atje ku isha shtegtar. Kujtova emrin tënd natën, o ZOT, dhe ligjin tënd e ruajta. Këto më ndodhën mua, se mbajta porositë e tua. ZOTI është pjesa e trashëgimit tim, premtova se do t'i ruaj fjalët e tua. Ty t'u përgjërova me gjithë zemër, mëshiromë sipas fjalës sate. I shqyrtova mirë udhët e tua dhe hapat drejt dëshmive të tua i ktheva. Shpejtova e nuk vonova urdhërimet e tua për t'i ruajtur. Leqet e të paudhëve më rrethuan, por ligjin tënd nuk e harrova. Në mesnatë ngrihem e të përlëvdoj për vendimet e tua të drejta. Jam mik me të gjithë ata që të druajnë e me ata që ruajnë porositë e tua. Toka është plot me mirësinë tënde, o ZOT, mësomë rregullat e tua. I bëre të mira shërbëtorit tënd, sipas fjalës sate, o ZOT. Mësomë dijen e të dalloj të mirën, se tek urdhërimet e tua kam besim. Para se të poshtërohesha, endesha i përhumbur, por tani mbaj fjalën tënde. I mirë je ti e të mira bën, mësomë rregullat e tua. Kryelartët më kanë mbuluar me mashtrime, por unë ruaj me gjithë zemër porositë e tua. U trash si dhjami zemra e tyre, ndërsa unë kënaqem me ligjin tënd. Më bëri mirë që u mundova, se mësova rregullat e tua. Më i mirë për mua është ligji i gojës sate, sesa mijëra monedha ari e argjendi.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë