Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 119:137-176

Psalmet 119:137-176 AL1

I drejtë je ti, o ZOT, të drejta vendimet e tua. Ti ke dhënë dëshmi të drejta e më se të besueshme. Zelli po më bren, se armiqtë e mi i kanë harruar fjalët e tua. Fjala jote është e sprovuar në zjarr, prandaj shërbëtori yt e do. I vogël jam unë e i përbuzur, por porositë e tua nuk i harrova. Drejtësia jote është e drejtë përjetë dhe ligji yt është i vërtetë. Më ka pushtuar vuajtja dhe pikëllimi, por urdhërimet e tua janë kënaqësi për mua. Dëshmitë e tua janë drejtësi e amshuar, bëmë të kuptoj, që të kem jetë. Po thërras me gjithë zemër, përgjigjmu, o ZOT, rregullat e tua do t'i ruaj. Po të thërras, shpëtomë, dëshmitë e tua do t'i ruaj. Zgjohem para agimit e thërras për ndihmë, shpresoj në fjalën tënde. Sytë e mi rrinë zgjuar çdo rojë të natës, për të përsiatur fjalët e tua. Dëgjoma zërin sipas mirësisë sate, o ZOT, jepmë jetë sipas gjykimit tënd. Më janë afruar ata që rendin pas paudhësisë, larg janë nga ligji yt. Por ti, o ZOT, je afër dhe të gjitha urdhërimet e tua janë të vërteta. Qëmoti kam mësuar prej dëshmive të tua se i ke caktuar për amshim. Shih mjerimin tim e çliromë, se nuk e kam harruar ligjin tënd. Mbroje çështjen time e shpengomë, jepmë jetë sipas fjalës sate. Shpëtimi është larg nga të paudhët, se nuk i kërkojnë rregullat e tua. Përdëllimet e tua janë të mëdha, o ZOT, jepmë jetë sipas vendimeve të tua. Të shumtë janë përndjekësit dhe armiqtë e mi, por nga dëshmitë e tua nuk jam shmangur. I pashë të pabesët e më erdhi pështirë, se nuk e mbajtën fjalën tënde. Shih sa i dua porositë e tua, o ZOT, jepmë jetë sipas mirësisë sate. Parimi i fjalës sate është e vërteta, çdo vendim i yt i drejtë është për amshim. Prijësit më përndjekin pa shkak, por zemra ime trembet veç prej fjalës sate. Ngazëllej për fjalën tënde, si ai që gjen shumë plaçkë. E urrej mashtrimin e më kall krupën, por ligjin tënd e dua. Të lavdëroj shtatë herë në ditë për vendimet e tua të drejta. Paqe të madhe kanë ata që duan ligjin tënd, asgjë nuk i pengon. Shpëtimin tënd pres, o ZOT, dhe mbaj urdhërimet e tua. Shpirti im i ruan dëshmitë e tua e unë fort i dua. Porositë dhe dëshmitë e tua i kam mbajtur, gjithë udhët e mia janë para teje. Ardhtë përgjërimi im para teje, o ZOT, bëmë të kuptoj sipas fjalës sate. Mbërrittë lutja ime para teje, sipas fjalës sate çliromë. Nga buzët e mia do të burojnë lavde, se më ke mësuar rregullat e tua. Gjuha ime shpalltë fjalën tënde, se gjithë urdhërimet e tua janë të drejta. Dora jote më ardhtë në ndihmë, se kam zgjedhur porositë e tua. Shumë e dëshiroj shpëtimin tënd, o ZOT, ligji yt është kënaqësia ime. Jetoftë shpirti im e të lavdëroftë, vendimet e tua më ndihmofshin! Po endem si delja e humbur, kërkoje shërbëtorin tënd, se urdhërimet e tua nuk i kam harruar.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë