Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 106:7-28

Psalmet 106:7-28 AL1

Etërit tanë në Egjipt mrekullitë e tua nuk i kuptuan, mirësitë e tua të shumta nuk i kujtuan, krye ngritën pranë detit, pranë detit të Kuq. Por Zoti i shpëtoi për hir të emrit të tij, për të bërë të njohur fuqinë e tij. E kërcënoi detin e Kuq e ai u ter, përmes thellësisë u priu si nëpër shkretëtirë. I shpëtoi nga dora e atij që i urrente, i shpengoi prej dorës së armikut. Ujërat i mbuluan kundërshtarët, asnjë prej tyre nuk shpëtoi. Atëherë u besuan fjalëve të tij dhe lavdërime atij i kënduan. Por shpejt i harruan veprat e tij e më nuk pritën për shestimin e tij. U ndezën nga lakmia në shkretëtirë, Perëndinë e tunduan në vend të shkretë. Kërkesën atyre ua plotësoi, por u dërgoi edhe sëmundje vdekjeprurëse. Smirë e patën Moisiun në fushim dhe Aronin, të shenjtin e ZOTIT. U hap toka dhe Datanin e përpiu, turmën e Abiramit e groposi. Zjarri e përpiu grumbullin e tyre, flaka i dogji të paudhët. Një viç punuan në Horeb, një idhull të metaltë adhuruan. Në vend të atij, që ishte lavdia e tyre, vunë shëmbëllimin e një kau, që ushqehet me bar. Perëndinë, shpëtimtarin e tyre, e harruan, atë që në Egjipt vepra madhështore bëri, mrekulli në tokën e Kamit, gjëra të tmerrshme në detin e Kuq. Mendoi, atëherë, t'i shfaroste, por Moisiu, i zgjedhuri i tij, mes çarjes, para tij qëndroi, që zemërimin e tij ta përmbante e të mos i shkatërronte. Tokën e dëshiruar e përbuzën, fjalës së tij nuk i besuan. Nëpër tendat e tyre murmuritën, zërin e ZOTIT nuk e dëgjonin. Atëherë ngriti dorën e kundër tyre u betua, që mu në shkretëtirë t'i plandoste, që pasardhësit e tyre ndër kombe t'i degdiste, nëpër vende të huaja t'i hapërdante. I ishin kushtuar Baalpeorit, kishin ngrënë flitë e të vdekurve.