Psalmet 106:7-28
Psalmet 106:7-28 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Etërit tanë në Egjipt mrekullitë e tua nuk i kuptuan, mirësitë e tua të shumta nuk i kujtuan, krye ngritën pranë detit, pranë detit të Kuq. Por Zoti i shpëtoi për hir të emrit të tij, për të bërë të njohur fuqinë e tij. E kërcënoi detin e Kuq e ai u ter, përmes thellësisë u priu si nëpër shkretëtirë. I shpëtoi nga dora e atij që i urrente, i shpengoi prej dorës së armikut. Ujërat i mbuluan kundërshtarët, asnjë prej tyre nuk shpëtoi. Atëherë u besuan fjalëve të tij dhe lavdërime atij i kënduan. Por shpejt i harruan veprat e tij e më nuk pritën për shestimin e tij. U ndezën nga lakmia në shkretëtirë, Perëndinë e tunduan në vend të shkretë. Kërkesën atyre ua plotësoi, por u dërgoi edhe sëmundje vdekjeprurëse. Smirë e patën Moisiun në fushim dhe Aronin, të shenjtin e ZOTIT. U hap toka dhe Datanin e përpiu, turmën e Abiramit e groposi. Zjarri e përpiu grumbullin e tyre, flaka i dogji të paudhët. Një viç punuan në Horeb, një idhull të metaltë adhuruan. Në vend të atij, që ishte lavdia e tyre, vunë shëmbëllimin e një kau, që ushqehet me bar. Perëndinë, shpëtimtarin e tyre, e harruan, atë që në Egjipt vepra madhështore bëri, mrekulli në tokën e Kamit, gjëra të tmerrshme në detin e Kuq. Mendoi, atëherë, t'i shfaroste, por Moisiu, i zgjedhuri i tij, mes çarjes, para tij qëndroi, që zemërimin e tij ta përmbante e të mos i shkatërronte. Tokën e dëshiruar e përbuzën, fjalës së tij nuk i besuan. Nëpër tendat e tyre murmuritën, zërin e ZOTIT nuk e dëgjonin. Atëherë ngriti dorën e kundër tyre u betua, që mu në shkretëtirë t'i plandoste, që pasardhësit e tyre ndër kombe t'i degdiste, nëpër vende të huaja t'i hapërdante. I ishin kushtuar Baalpeorit, kishin ngrënë flitë e të vdekurve.
Psalmet 106:7-28 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
Atenitë t’anë ndë Misirë s’kupëtuenë mërekullit’ e tua, edhe nukë mbaitnë mend të shumën’ e përdëllimit t’yt, edhe të idhënuenë tue shkuem për-anë detit, ndë Det të Kuq. Por ai i shpëtoi për emënin’ e vet, qi të bante me u ngjofunë fuqia e vet. Edhe qirtoi Detin’ e Kuq, edhe u tha; edhe u hoqi udhënë ndëpër abyssa, porsi ndëpër shkretinë, edhe i shpëtoi prei dorës’ ati qi i kishte mëni, edhe i shpërbleu prei dorës’ anëmikut. Edhe ujënate mbuluen’ anëmiqt e atyneve, s’mbeti as nji prei asish. Ateherë i besuenë fjalës’ ati, edhe kënduenë lavdurimin’ e ati. Por shpeit harruenë punët’ e ati, nukë pritnë këshillën’ e ati, por dëshëruenë fort ndë shkretinët, edhe gërganë Perëndinë ndë vend të thate. Edhe ai u dha qish i lypnë, por u dërgoi sëmundëje gjithë shpirtënavet. Por patnë zmir edhe Moisenë ndë ushtërit, edhe Aaroninë shenjtin’ e Zotit. U hap dheu, e përpiu Dhathanë, edhe mbëloi përmbëledhëjen’ e Abiramit. Edhe u ndes ziarrm ndë përmbëledhëjet t’atyneve: flaka doq të pabesëtë. Edhe ndërtuenë viç ndë Horeb, edhe lutnë të derdhunin’ idhullë, edhe ndërruenë lavdin’ e vet me shëmbëllim kau qi ha bar. Harruenë Perëndinë qi i shpëtoi, i cilli banipunë të mëdha ndë Misirë, mërekulli ndë dhe të Hamit, punë të frikshime ndë Det te Kuq. Edhe tha me rrenuem ata, të mos ndenjëke përpara ati Moiseu i sgjedhun’ i ati, kur zu me i dërrmuem, qi të këthente zemërimin’ e ati, për mos me rrenuem ata. Por nukë zunë për gja as dhen’ e dëshërueshim, nuk’ i besuenë fjalës ati. Edhe murmuruenë ndër tendat të veta, nukë ndigjuenë zanin’ e Zotit. Përandai ngriti dorën’ e vet mbi ata, për me i rrenuem ndë shkretinët, edhe me rrëzuem farën’ e atyneve ndër kombet, edhe me përdamë ata ndëpër vendet. Edhe u ngjitnë mbas Baal-peorit, edhe hangrën kurbane të vdekunish
Psalmet 106:7-28 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Etërit tanë në Egjipt nuk i kuptuan mrekullitë e tua, nuk kujtuan numrin e madh të mirësive të tua dhe ngritën krye pranë detit, Deti i Kuq. Megjithatë Zoti i shpëtoi për hir të emrit të tij, për të bërë të njohur fuqinë e tij. I bërtiti Detit të Kuq dhe ai u tha, dhe i udhëhoqi nëpër humnerat si nëpër një shkretëtirë. I shpëtoi nga dora e atij që i urrente dhe i shpengoi nga dora e armikut. Dhe ujërat i mbuluan armiqtë e tyre, dhe nuk shpëtoi as edhe një prej tyre. Atëherë u besuan fjalëve të tij dhe kënduan lavdinë e tij. Por shpejt i harruan veprat e tij dhe nuk pritën me besim plotësimin e planit të tij. U ndezën nga lakmia në shkretëtirë dhe e tunduan Perëndinë në vetmi. Dhe ai u dha atyre sa i kërkonin, por dërgoi midis tyre një lëngatë që pakësoi numrin e tyre. Kur në kamp patën smirë Moisiun dhe Aaronin, i shenjti i Zotit, toka u hap dhe përpiu Dathanin dhe groposi grupin e Abiramit. Një zjarr shpërtheu në mes të tyre dhe flaka i përpiu të pabesët. Bënë një viç në Horeb dhe adhuruan një shëmbëlltyrë prej metali të shkrirë, dhe e ndërruan lavdinë e tyre me shëmbëlltyrën e një kau që ha bar. Harruan Perëndinë, Shpëtimtarin e tyre, që kishte bërë gjëra të mëdha në Egjipt, mrekullitë në vendin e Kamit, gjëra të tmerrshme në Detin e Kuq. Prandaj ai foli t'i shfarosë, por Moisiu, i zgjedhuri i tij, u paraqit mbi të çarën përpara tij për të penguar që zemërimi i tij t'i shkatërronte. Ata e përçmuan akoma vendin e mrekullueshëm, nuk i besuan fjalës së tij, por murmuritën në çadrat e tyre dhe nuk dëgjuan zërin e Zotit. Prandaj ai ngriti dorën kundër tyre, duke u betuar se do t'i rrëzonte në shkretëtirë, dhe se do t'i zhdukte pasardhësit e tyre midis kombeve dhe se do t'i shpërndante në të gjitha vendet. Ata i shërbyen edhe Baal-Peorit dhe hëngrën flijimet e të vdekurve.