Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Fjalët e urta 8

8
Thirrja e urtisë
1A nuk thërret vallë urtia?
Po mençuria, a nuk e ngre zërin?
2Majë lartësive, përgjatë rrugës,
në udhëkryqe, aty ajo zë vend.
3Pranë dyerve të hapura të qytezave,
te hyrja e portaleve, aty ajo bëzan:
4«Ju, o njerëz, ju po ju thërras
e zëri im u flet bijve të njerëzve.
5Kuptojeni, o të pamësuar, zgjuarsinë,
e ju, o të marrë, thirrini mendjes.
6Dëgjoni, se do të them fjalë fisnikërie,
çfarë del nga buzët e mia është drejtësi,
7se goja ime thotë të vërtetën
e buzëve të mia u pështiret ligësia.
8Fjalët e gojës sime janë krejt të drejta
e nuk gjendet në to dredhi a prapësi.
9Të drejta ato janë për kë arsyeton,
të çiltra për atë që ka arritur njohjen.
10Kapuni pas parimit tim e jo pas parasë,
se duhet zgjedhur njohja e jo ari.
11Urtia vlen më shumë se gurët e çmuar,
është e pakrahasueshme me asnjë kënaqësi.
Urtia flet për veten
12Unë, urtia, zotëroj zgjuarsinë,
kam njohjen e jam e arsyeshme.
13Kush druan Zotin, e urren të keqen.
Unë urrej krenarinë e mendjemadhësinë,
udhët e këqija e gojën e ligë.
14Mua më përket këshillimi e mençuria,
i imi është kuptimi, e imja forca.
15Falë meje mbretërit mbretërojnë
e sunduesit ushtrojnë drejtësinë.
16Falë meje princat sundojnë
e fisnikët mbarë gjykojnë me drejtësi.
17Unë i dua ata që më duan,
e ata që më kërkojnë, më gjejnë.
18Me mua janë pasuria e nderi,
të mirat e përhershme dhe drejtësia.
19Fryti im është më i mirë se ari,
më i mirë se ar i kulluar.
Më mirë begatia ime,
se argjendi i zgjedhur.
20Unë eci udhës së drejtësisë,
përmes shtigjeve të së drejtës,
21për t'i bërë, ata që më duan,
trashëgimtarë të të mirave,
e për të mbushur thesaret e tyre.
Urtia krijuese
22 Zoti më bëri fillimin#8.22 ose: më krijoi të jem fillimi e udhës së tij,
pikënisjen e veprave të tij qëkur.
23Qëmoti kam qenë caktuar,
që në krye të herës,
para se toka të zinte fill.
24Kur ende s'kishte humnera,
unë isha lindur.
Kur s'kishte ende gurra me ujë të bollshëm,
25para se të ngriheshin malet
e para se të ishin kodrat,
unë isha lindur.
26Ende nuk e kishte krijuar tokën, as fushat,
as të parin pluhur të botës.
27Kur i nguliti qiejt, unë isha aty.
Kur skajoi humnerën,
28kur i ngjeshi retë atje lart,
kur i forcoi gurrat e humbëtirës,
29kur u vuri cakun detit
e ujërave, që të mos vërshojnë,
kur hodhi themelet e tokës,
30unë isha pranë tij si kryemjeshtër.
Isha ditë për ditë gëzimi i tij,
dëfrehesha para tij përherë,
31duke luajtur me rruzullin e tokës
e duke u ngazëlluar me bijtë e njerëzve.
Porosia e urtisë
32Prandaj, bijtë e mi, dëgjomëni:
lum ata që ndjekin udhët e mia!
33Dëgjojeni porosinë, bëhuni të urtë
e mos e shpërfillni.
34Lum njeriu që më dëgjon mua,
që vëzhgon përditë dyert e mia
e pret te pragjet e hyrjeve të mia.
35Kush më gjen mua, gjen jetën
e fiton përkrahjen e Zotit,
36por kush mëkaton ndaj meje, lëndon veten.
Të gjithë ata që më urrejnë mua,
duan vdekjen».

Aktualisht i përzgjedhur:

Fjalët e urta 8: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr