Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Fjalët e urta 29

29
1Kush është kokëfortë ndaj qortimeve,
shpejt do të rrënohet e nuk do të shërohet.
2Kur mbizotërojnë të drejtët, populli gëzon,
kur sundon i paudhi, populli rënkon.
3Kush e do urtinë, e gëzon të atin,
por kush shkon me lavire, shfaros pasurinë.
4Me drejtësi, mbreti e bën të qëndrueshëm vendin,
por, kush e rëndon me tagra, e shkatërron.
5Kush i bën lajka mikut,
i hedh rrjetën këmbëve.
6Kush bën shkelje, i ngre kurth vetes,
por i drejti brohoret e gëzohet.
7I drejti ua njeh të drejtën skamnorëve,
por i paudhi nuk ha arsye.
8Njerëzit qesëndisës e ndezin qytetin,
por të urtët e zmbrapsin zemërimin.
9I urti, që ngatërrohet me të marrin,
nxehet, qeshet e s'gjen prehje.
10Gjakësorët e urrejnë të përkryerin,
por të drejtët kujdesen për të.
11I marri e shfryn gjithë dufin,
por i urti përmbahet e qetësohet.
12Prijësi që u vë vesh fjalëve të rreme,
të gjithë shërbëtorët i ka të paudhë.
13Këtu puqen skamnori e shtypësi:
dritën e syve ua jep Zoti të dyve.
14Nëse mbreti gjykon me drejtësi skamnorët,
froni i tij do të qëndrojë përgjithmonë.
15Shkopi dhe qortimi japin urti,
por i riu që lihet i lirë, turpëron të ëmën.
16Kur mbizotërojnë të paudhët, mbizotëron krimi,
por të drejtët do ta shohin përmbysjen e tyre.
17Qortoje birin e do të të lërë të qetë,
do të ta kënaqë shpirtin.
18Kur s'ka vegim profetik, populli shthuret,
por lum ai që mban ligjin.
19Skllavi nuk ndreqet me fjalë,
të kupton, por s'i vë në zbatim.
20E shikon njeriun që ngutet për të folur?
Shpreso prej të marrit më shumë se prej tij.
21Kush e përkëdhel skllavin që në rini,
në fund do të ketë kokëçarje.
22Gjaknxehti nxit grindje,
idhnaku bën shumë faje.
23Krenaria do ta poshtërojë njeriun,
por kush përulet, merr nderime.
24Kush bëhet ortak me vjedhësin, urren veten,
e dëgjon përbetimin, por nuk e tregon.
25Frika nga njerëzit të vë lakun,
kush beson në Zotin, është i mbrojtur.
26Shumë e kërkojnë përkrahjen e prijësit,
por e drejta e njeriut vjen prej Zotit.
27Të drejtëve u neveritet njeriu i padrejtë,
të paudhit i neveritet kush jeton me drejtësi.

Aktualisht i përzgjedhur:

Fjalët e urta 29: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë