Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Fjalët e urta 22

22
1Më mirë një emër i mirë, se një pasuri e madhe,
më mirë të përmendesh për mirë, se të kesh ar e argjend.
2Ja ku piqen i pasuri dhe i varfri:
ata të gjithë i ka krijuar Zoti.
3I mençuri e sheh ligësinë e fshihet,
ndërsa thjeshtakët vijojnë e ndëshkohen.
4Përvujtëria sjell drojën e Zotit,
begati, nder e jetë.
5Në udhën e të prapit ka gjemba e kurthe,
kush kujdeset për veten, rri larg tyre.
6Mësoje të riun që në fillim të udhës,
se nuk do t'i shmanget as kur të plaket.
7I pasuri sundon mbi të varfrit,
huamarrësi është skllav i huadhënësit.
8Kush mbjell padrejtësi, korr ligësi;
shkopi i zemërimit të tij do të thyhet.
9Zemërgjeri do të bekohet,
se ndan bukën me skamnorin.
10Dëboje përqeshësin e grindja do të ikë,
do të reshtë zënka e çnderimi.
11Kush e do pastërtinë e zemrës dhe është fjalëmirë,
është mik i mbretit.
12Sytë e Zotit e ruajnë dijen,
ai i përmbys fjalët e të pabesit.
13Thotë përtaci: «Përjashta është luani.
Mund të vritem në mes të rrugës!».
14Pus i thellë është goja e të huajës,
i nëmuri nga Zoti, do të bjerë brenda.
15Marrëzia është e lidhur me zemrën e të riut,
por e largon tej shkopi i qortimit.
16Kush e shtyp skamnorin, e pasuron.
Kush i jep të pasurit, varfërohet.
Thëniet e të Urtit
17Vëru vesh e dëgjoi fjalët e të urtëve,
vëri mend mësimit tim,
18ruaji thellë në zemër se janë të këndshme,
mbaji gati në buzët e tua.
19Që të kesh besim te Zoti,
sot po t'i shfaq edhe ty.
20A nuk i shkrova për ty
tridhjetë këshilla e njoftime,
21për të të treguar besueshmërinë e fjalëve të vërteta,
që t'u kthesh fjalë të vërteta dërguesve të tu?
22Mos e zhvat skamnorin pse është skamnor,
mos e shtyp nevojtarin te porta,
23sepse me çështjen e tyre do të merret Zoti
dhe do t'i zhvatë ata që ua zhvatin shpirtin.
24Mos u shoqëro me zemërakun
e mos rri me njeriun e tërbuar,
25që të mos mësosh udhët e tij
e të biesh vetë në kurth.
26Mos ji nga ata që shtrijnë dorën
e hyjnë dorëzanë për detyrime.
27Nëse nuk ke me se të paguash,
pse të ta marrin shtratin ku shtrihesh?
28Mos i zhvendos kufijtë e moçëm
që kanë vënë etërit e tu.
29Shiko njeriun e aftë në punën e vet!
Ai do të rrijë me mbretër e jo me njerëz çfarëdo.

Aktualisht i përzgjedhur:

Fjalët e urta 22: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë