Kush zë mend, e do veten,
kush ruan mençurinë, gjen të mirën.
Dëshmitari i rremë s'mbetet pa ndëshkuar,
kush përhap gënjeshtra, do të rrënohet.
Të marrit nuk i shkon mirëqenia,
aq më pak skllavit të sundojë mbi princa.
Mirëkuptimi ia zbut zemërimin njeriut,
të mos merret me fyerjen është nder për të.
Zemërimi i mbretit është si ulërima e luanit,
por përkrahja e tij është si vesa mbi bar.
Djali i marrë është fatkeqësi për të atin,
zënkat e gruas si pikim që s'mbaron.
Trashëgimi nga etërit: shtëpi e katandi,
por nga ZOTI: një grua plot urti.
Përtacia vë në gjumë,
njeriu i plogësht do të uritet.
Kush mban urdhërimet, ruan veten,
kush sillet shkujdesur, do të vdesë.
Kush përkrah të varfrin, i jep hua ZOTIT.
Zoti do ta shpërblejë.
Sa të ketë shpresë, qortoje birin tënd,
por mos u mbush me duf për ta vrarë.
Kush është shumë zemërak duhet ndëshkuar,
se po ta falësh, prapë e përsërit.
Dëgjoje këshillën e pranoje rregullin,
që, në fund, të jesh i urtë.
Ka shumë shestime në mendjen e njeriut,
por veç plani i ZOTIT do të qëndrojë.
Mirësia e bën të këndshëm njeriun;
është më i mirë i varfri sesa gënjeshtari.
Droja e ZOTIT është jetë,
kush e ka fle i kënaqur, e s'e zë e keqja.