Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Fjalët e urta 13

13
1Biri i urtë e dëgjon mësimin e të atit,
por përqeshësi nuk e dëgjon qortimin.
2Njeriu ushqehet me të mira falë asaj që thotë,
por shpirti i mashtruesve ndryn dhunë.
3Kush këqyr gojën e vet, ruan jetën e vet,
kush i shkyç buzët, mbi të bie rrënimi.
4Përtaci dëshiron, por gjë s'fiton,
ndërsa zelltarëve u rritet jeta.
5I drejti e urren fjalën e rreme,
i paudhi përlyen e turpëron.
6Drejtësia ruan sjelljen e përkryer,
të paudhin e rrënon mëkati.
7Dikush shtiret i pasur e s'ka asgjë,
dikush shtiret i varfër e ka shumë pasuri.
8Pasuria është shpagim për jetën e njeriut,
por i varfri as që dëgjon kërcënim.
9Drita e të drejtëve sjell gëzim,
por të paudhëve u shteron llamba.
10Mendjemadhësia sjell vetëm grindje,
por me ata që këshillohen është urtia.
11Pasuria e mbledhur shpejt e shpejt mpaket,
por kush mbledh ngadalë, e shumon.
12Një shpresë e tejzgjatur e ligështon zemrën,
por një dëshirë e përmbushur është pemë jete.
13Kush e përbuz fjalën, ndëshkon veten,
kush e druan urdhërimin, do të shpërblehet.
14Mësimi i të urtit është burim jete
për të shmangur leqet e vdekjes.
15Mirëkuptimi merr përkrahje;
mashtruesit janë të paepur.
16Çdo i ftilluar vepron me zgjuarsi,
por i pamendi rrezaton marrëzi.
17Lajmëtarin e paudhë e zë e keqja,
por lajmësi besnik sjell shërim.
18Skamje e turp për kë shpërfill rregullin,
por kush e zbaton qortimin, do të nderohet.
19Një dëshirë e plotësuar e lumturon njeriun,
por të marrët as që duan të heqin dorë nga e keqja.
20Rri me të urtët e do të bëhesh i urtë,
por kush rri me të marrët do ta pësojë.
21Mëkatarët i përndjek e keqja,
ndërsa të drejtët do të shpërblehen me të mira.
22Njeriu i mirë u lë trashëgimi nipërve,
por prona e mëkatarëve ruhet për të drejtin.
23Shumë ushqim ka në arat e skamnorëve,
por ja që përlahet me padrejtësi.
24Kush e kursen shkopin, e urren të birin,
por kush e do atë, nxiton ta qortojë.
25I drejti ha derisa ngihet,
por të paudhëve s'u mbushet barku.

Aktualisht i përzgjedhur:

Fjalët e urta 13: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë