Numrat 9
9
Pashka në Sinai
1Në muajin e parë të vitit të dytë të daljes nga toka e Egjiptit, Zoti foli me Moisiun në shkretëtirën e Sinait e i tha: 2«Izraelitët ta kremtojnë Pashkën në kohën e caktuar. 3Ta kremtojnë sipas tërë rregullave e dokeve në mbrëmjen e ditës së katërmbëdhjetë të këtij muaji, se ajo është koha e caktuar». 4Atëherë Moisiu foli me izraelitët që të kremtojnë Pashkën. 5Kështu ata e kremtuan Pashkën në mbrëmjen e ditës së katërmbëdhjetë të muajit të parë, ndërkohë që ishin në shkretëtirën e Sinait. Ata e kremtuan ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
6Disa njerëz ishin të papastër, sepse kishin prekur kufomë. Prandaj nuk e kremtuan dot Pashkën në ditën e caktuar. Po atë ditë erdhën para Moisiut e Aronit 7e u thanë: «Edhe pse jemi të papastër se kemi prekur kufomë, përse nuk na lejohet t'i kushtojmë fli Zotit në kohën e caktuar bashkë me izraelitët e tjerë?». 8Moisiu iu përgjigj: «Prisni sa të shoh se çfarë urdhëron Zoti për ju».
9Atëherë Zoti foli me Moisiun e i tha: 10«Kushdo nga izraelitët, si ju edhe breznitë e ardhshme, që është i papastër apo në udhëtim të largët, lejohet ta kremtojë Pashkën e Zotit. 11Do ta kremtojnë në mbrëmjen e ditës së katërmbëdhjetë të muajit të dytë. Të hanë bukë të ndorme e barishte të hidhura. 12Të mos lënë asgjë për të nesërmen e të mos ia thyejnë eshtrat qengjit. Ta kremtojnë Pashkën sipas tërë rregullave. 13Por, nëse dikush që është i pastër dhe nuk po udhëton, nuk e kremton Pashkën, të zhbihet prej popullit, sepse nuk i ka kushtuar fli Zotit në kohën e caktuar. Ai do të jetë fajtor për mëkatin e kryer. 14Nëse një i ardhur që banon me ju do të kremtojë Pashkën e Zotit, ta kremtojë sipas rregullave e riteve në fjalë. Do të keni një rregull, si për të ardhurin, edhe për vendasin».
Reja mbi tendën e dëshmisë
15Ditën kur u ngrit tenda e dëshmisë, e mbuloi reja. Gjatë natës reja mbi tendë dukej si zjarr. 16Kështu ishte përherë. Reja e mbulonte dhe gjatë natës dukej si zjarr. 17Sa herë që reja ngrihej nga tenda, izraelitët niseshin për udhë dhe aty ku prehej reja, aty edhe fushonin. 18Ata niseshin për udhë ose fushonin sipas urdhrit të Zotit. Për sa kohë që reja prehej mbi tendë, ata fushonin. 19Edhe kur reja qëndronte mbi tendë për një kohë të gjatë, izraelitët e mbanin urdhrin e Zotit dhe nuk niseshin. 20E njëjta gjë ndodhte edhe kur reja qëndronte mbi tendë për pak ditë. Ata fushonin ose niseshin për udhë sipas urdhrit të Zotit. 21Ndodhte që reja qëndronte gjatë natës, por ngrihej në të gdhirë dhe izraelitët niseshin për udhë. Ditë ose natë, ata niseshin sa herë që reja ngrihej. 22E nëse reja prehej për dy ditë, një muaj ose një vit ata fushonin e nuk niseshin. Vetëm kur ngrihej reja niseshin. 23Izraelitët niseshin ose fushonin sipas urdhrit të Zotit. Ata e mbanin urdhrin e Zotit që jepej përmes Moisiut.
Aktualisht i përzgjedhur:
Numrat 9: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020