Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Numrat 9:1-14

Numrat 9:1-14 AL1

Në muajin e parë të vitit të dytë të daljes nga toka e Egjiptit, ZOTI foli me Moisiun në shkretëtirën e Sinait e i tha: «Izraelitët ta kremtojnë Pashkën në kohën e caktuar. Ta kremtojnë sipas tërë rregullave e dokeve në mbrëmjen e ditës së katërmbëdhjetë të këtij muaji, se ajo është koha e caktuar». Atëherë Moisiu foli me izraelitët që të kremtojnë Pashkën. Kështu ata e kremtuan Pashkën në mbrëmjen e ditës së katërmbëdhjetë të muajit të parë, ndërkohë që ishin në shkretëtirën e Sinait. Ata e kremtuan ashtu siç e kishte urdhëruar ZOTI Moisiun. Disa njerëz ishin të papastër, sepse kishin prekur kufomë. Prandaj nuk e kremtuan dot Pashkën në ditën e caktuar. Po atë ditë erdhën para Moisiut e Aronit e u thanë: «Edhe pse jemi të papastër se kemi prekur kufomë, përse nuk na lejohet t'i kushtojmë fli ZOTIT në kohën e caktuar bashkë me izraelitët e tjerë?». Moisiu iu përgjigj: «Prisni sa të shoh se çfarë urdhëron ZOTI për ju». Atëherë ZOTI foli me Moisiun e i tha: «Kushdo nga izraelitët, si ju edhe breznitë e ardhshme, që është i papastër apo në udhëtim të largët, lejohet ta kremtojë Pashkën e ZOTIT. Do ta kremtojnë në mbrëmjen e ditës së katërmbëdhjetë të muajit të dytë. Të hanë bukë të ndorme e barishte të hidhura. Të mos lënë asgjë për të nesërmen e të mos ia thyejnë eshtrat qengjit. Ta kremtojnë Pashkën sipas tërë rregullave. Por, nëse dikush që është i pastër dhe nuk po udhëton, nuk e kremton Pashkën, të zhbihet prej popullit, sepse nuk i ka kushtuar fli ZOTIT në kohën e caktuar. Ai do të jetë fajtor për mëkatin e kryer. Nëse një i ardhur që banon me ju do të kremtojë Pashkën e ZOTIT, ta kremtojë sipas rregullave e riteve në fjalë. Do të keni një rregull, si për të ardhurin, edhe për vendasin».