Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Numrat 35

35
Pjesa e levitëve
1 Zoti i tha Moisiut në stepat e Moabit, pranë Jordanit, kundruall Jerikosë: 2«Urdhëroji izraelitët që t'u japin levitëve prej trashëgimisë që zotërojnë disa qytete ku të banojnë. Jepuni edhe kullotat përreth qyteteve. 3Qytetet t'i kenë për të banuar dhe kullotat përreth për bagëtitë dhe gjithë gjënë e gjallë. 4Kullotat përreth, që do t'u japësh levitëve, të shtrihen një mijë kute përtej mureve të qytetit. 5Matni jashtë mureve të qytetit dy mijë kute në krahun lindor, jugor, perëndimor e verior, me qytetin në qendër. Kështu do të caktohen kullotat e qyteteve të tyre.
6Gjashtë nga qytetet që do t'u jepni levitëve do të jenë qytete strehimi për të strehuar ata që derdhin gjak. Përveç këtyre do t'u jepni edhe dyzet e dy qytete të tjera. 7Pra, gjithsej do t'u jepni dyzet e tetë qytete bashkë me kullotat përreth. 8Shumica e qyteteve, që do të jepen prej trashëgimisë së izraelitëve, të merren prej fiseve që kanë më shumë, ndërsa prej fiseve më të vogla të merren më pak. Secili fis do t'u japë levitëve nga qytetet e veta sipas masës së pronës që kanë».
Qytete strehimi
9 Zoti i tha Moisiut: 10«Fol me izraelitët e thuaju: “Kur të kaloni Jordanin në tokën e Kanaanit, 11zgjidhni për vete disa qytete strehimi, ku të strehoni ata që vrasin dikë padashur. 12Këto qytete do të shërbejnë si strehim për vrasësin, që të mbrohet nga hakmarrësi e të mos vdesë para se të gjykohet nga bashkësia.
13Nga gjashtë qytetet që do të caktoni si qytete strehimi, 14tri të jenë përtej Jordanit e tri në tokën e Kanaanit. 15Këto gjashtë qytete do të shërbejnë për izraelitët e për të ardhurit mes tyre si strehim për këdo që vret padashur. 16Nëse ai që vret e godet tjetrin me send të hekurt dhe tjetri vdes, ai është vrasës e do të dënohet me vdekje. 17Nëse e qëllon me gur dhe tjetri vdes, ai është vrasës e do të dënohet me vdekje. 18Nëse e godet me send të drunjtë dhe tjetri vdes, ai është vrasës dhe do të dënohet me vdekje. 19Vetë gjakmarrësi ta vrasë vrasësin porsa t'i dalë përpara.
20Nëse e shtyn nga mëria dhe e godet me dashje me ndonjë send e tjetri vdes 21ose e qëllon me grusht nga zemërimi e tjetri vdes, ai është vrasës. Gjakmarrësi ta vrasë porsa t'i dalë përpara.
22Por nëse e shtyn papritur, pa të keq, ose e godet pa dashje me ndonjë send, 23apo me gurë, pa e parë, pa e pasur mëri e padashur t'i bëjë keq, dhe tjetri vdes, 24atëherë bashkësia të gjykojë mes atij që goditi e gjakmarrësit sipas këtyre vendimeve. 25Bashkësia do ta shpëtojë vrasësin nga dora e gjakmarrësit dhe do ta kthejë në qytetin e strehimit. Ai do të banojë aty derisa të vdesë kryeprifti i vajosur me vajin e shenjtë. 26Por, nëse vrasësi del përtej kufijve të qytetit të strehimit 27e gjakmarrësi e gjen jashtë kufijve të qytetit të strehimit dhe e vret, atëherë gjakmarrësi është i pafajshëm, 28sepse vrasësi doli nga qyteti i strehimit ku duhej të banonte derisa të vdiste kryeprifti. Vetëm pasi të vdesë kryeprifti, vrasësi mund të kthehet në vendin e vet. 29Këto do të jenë rregulla gjykimi brez pas brezi në të gjitha vendbanimet tuaja.
30Nëse dikush vret dikë e kjo dëshmohet nga disa dëshmitarë, vrasësi të dënohet me vdekje. Dëshmia e një dëshmitari të vetëm nuk do të jetë e mjaftueshme për dënimin me vdekje. 31Mos pranoni dëmshpërblim për vrasësin që meriton të vdesë. Ai duhet të vdesë. 32As mos pranoni dëmshpërblim për atë që strehohet në qytetin e strehimit për t'u kthyer në vendin e vet përpara se të vdesë kryeprifti. 33Mos e ndotni tokën ku banoni, se gjaku e ndot tokën. Toka nuk mund të shlyhet për gjakun e derdhur, përveçse me gjakun e atij që e derdhi. 34Mos e ndotni vendin ku banoni, sepse unë banoj mes jush. Unë, Zoti, banoj mes izraelitëve”».

Aktualisht i përzgjedhur:

Numrat 35: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr