Numrat 3
3
Bijtë e Aronit
1Këta janë pasardhësit e Aronit dhe Moisiut, në kohën kur Zoti foli me Moisiun në malin e Sinait. 2Këta janë emrat e bijve të Aronit: Nadabi, i parëlinduri, Abihui, Eleazari e Itamari. 3Këta janë emrat e bijve të Aronit. Ata janë priftërinj të vajosur e të shuguruar për shërbesë. 4Por Nadabi e Abihui vdiqën para Zotit kur i kushtuan zjarr të palejueshëm në shkretëtirën e Sinait. Ata nuk patën fëmijë, prandaj Eleazari e Itamari shërbyen si priftërinj gjatë kohës së Aronit, atit të tyre.
Shërbesa e levitëve
5 Zoti i tha Moisiut: 6«Paraqite fisin e Levit para priftit Aron, që t'i shërbejë. 7Ata të kujdesen për shërbesën e Aronit e për shërbesën e tërë bashkësisë para tendës së takimit duke shërbyer në të. 8Të kujdesen për tërë enët e tendës së takimit dhe për shërbesën e izraelitëve duke shërbyer në tendë. 9Kushtoja levitët Aronit e bijve të tij. Nga izraelitët, levitët janë ata që i kushtohen krejtësisht Aronit. 10Aronin e bijtë e tij caktoji që të shërbejnë si priftërinj. Kushdo tjetër që afrohet do të vdesë».
11 Zoti foli me Moisiun e i tha: 12«Sa për mua, ja, i mora levitët nga mesi i izraelitëve në vend të çdo fryti të parë të barkut. Ata më përkasin mua. 13Mua më përket çdo i parëlindur, sepse kur godita tërë të parëlindurit në tokën e Egjiptit, të parëlindurit në Izrael, si të njerëzve, ashtu edhe të kafshëve, ia kushtova vetes. Prandaj ata më përkasin mua, Zotit».
Regjistrimi i levitëve
14 Zoti foli me Moisiun në shkretëtirën e Sinait e i tha: 15«Numëro levitët sipas familjeve të etërve e klaneve. Numëro çdo mashkull që është njëmuajsh e sipër». 16Kështu, Moisiu i numëroi sipas urdhrit që Zoti i kishte dhënë.
17Këta ishin emrat e bijve të Levit: Gershoni, Kohati e Merari. 18Këta ishin emrat e bijve të Gershonit sipas klaneve: Libniu e Shimei. 19Bijtë e Kohatit, sipas klaneve, ishin Amrami, Ichari, Hebroni dhe Uzieli. 20Bijtë e Merarit, sipas klaneve, ishin, Mahliu e Mushiu. Këto ishin klanet e levitëve sipas familjeve të etërve.
21Klani i Libniut e i Shimeit rridhnin nga Gershoni. Ato ishin klane gershonite. 22Regjistri i tyre numëronte shtatë mijë e pesëqind meshkuj njëmuajsh e sipër. 23Gershonitët fushonin mbrapa tendës, në krahun perëndimor. 24Prijësi i tyre ishte Eliasafi, biri i Laelit. 25Në tendën e takimit, ata kujdeseshin për vetë tendën, mbulesën e saj, perden e hyrjes së tendës së takimit, 26perden e hyrjes së oborrit, pëlhurat e oborrit që rrethojnë tendën e altarin, bashkë me litarët dhe gjithçka tjetër lidhur me to.
27Klani i Amramit, i Icharit, i Hebronit e i Uzielit rridhnin nga Kohati. Ato ishin klane kohatite 28dhe numëronin tetë mijë e gjashtëqind meshkuj njëmuajsh e sipër. Ata kujdeseshin për shenjtëroren. 29Kohatitët fushonin në krahun jugor të tendës. 30Prijësi i tyre ishte Elicafani, biri i Uzielit. 31Ata kujdeseshin për arkën, tryezën, shandanin, altarët, tërë enët e shenjtërores që përdoren gjatë shërbesës, velin dhe gjithçka tjetër lidhur me to. 32Kryeprijësi i levitëve ishte Eleazari, biri i priftit Aron. Ai mbikëqyrte ata që kujdeseshin për shërbesën e shenjtërores.
33Klani i Mahliut e i Mushiut rridhnin nga Merari. Ato ishin klane merarite. 34Regjistri i tyre numëronte gjashtë mijë e dyqind meshkuj njëmuajsh e sipër. 35Prijësi i tyre ishte Curieli, biri i Abihajlit. Ata fushonin në krahun verior të tendës. 36Meraritët kujdeseshin për dërrasat e tendës bashkë me traversat, shtyllat, bazat, tërë mjetet përkatëse dhe gjithçka tjetër lidhur me to. 37Ata kujdeseshin edhe për shtyllat përreth oborrit bashkë me bazat, kunjat dhe litarët.
38Moisiu, Aroni dhe bijtë e tij, fushonin para tendës, në lindje të tendës së takimit. Ata kujdeseshin për shërbesën e shenjtërores dhe ruanin izraelitët, sepse kushdo tjetër që afrohej vdiste. 39Regjistri i tërë levitëve sipas klaneve, që Moisiu#3.39 ose: Moisiu e Aroni përpiloi sipas urdhrit të Zotit, numëronte njëzet e dy mijë meshkuj njëmuajsh e sipër.
Të parëlindurit
40 Zoti i tha Moisiut: «Numëro çdo të parëlindur mashkull të izraelitëve që është njëmuajsh e sipër dhe llogarit numrin e tyre. 41M'i kushto mua, Zotit, levitët bashkë me kafshët e tyre në vend të të parëlindurve të izraelitëve e të të parëlindurve të kafshëve të tyre». 42Kështu, Moisiu i numëroi tërë të parëlindurit e izraelitëve ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti. 43Numri i tërë të parëlindurve meshkuj të shënuar me emër, njëmuajsh e sipër, u llogarit njëzet e dy mijë e dyqind e shtatëdhjetë e tre.
44 Zoti i tha Moisiut: 45«Kushtoi levitët në vend të të parëlindurve të izraelitëve dhe kafshët e tyre në vend të kafshëve të izraelitëve. Levitët më përkasin mua, Zotit. 46Ndërsa për shpagimin e dyqind e shtatëdhjetë e tre të parëlindurve të izraelitëve, që janë më shumë se levitët, 47merr për kokë pesë sikla argjendi që është e barabartë me gjashtëdhjetë gramë sipas peshës së shenjtërores. 48Argjendin e mbledhur nga shpagimi jepja Aronit e bijve të tij».
49Kështu, Moisiu e mblodhi argjendin e shpagimit nga personat që ishin mbi numrin e të shpaguarve nga levitët. 50Nga të parëlindurit e izraelitëve mori një mijë e treqind e pesëdhjetë e pesë sikla argjendi, sipas peshës së shenjtërores. 51Pastaj ia dha Aronit e bijve të tij sipas kërkesës së Zotit, siç e kishte urdhëruar ai.
Aktualisht i përzgjedhur:
Numrat 3: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020