Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Numrat 27

27
Trashëgimia e bijave
1Atëherë u afruan bijat e Celofehadit, birit të Heferit, të birit të Gileadit, të birit të Makirit, të birit të Manaseut, nga fisi i Manaseut, që ishte biri i Jozefit. Bijat quheshin Mahla, Noa, Hogla, Milka e Tirca. 2Ato qëndruan para Moisiut, priftit Eleazar, prijësve e para tërë bashkësisë në të hyrë të tendës së takimit dhe thanë: 3«Ati ynë vdiq në shkretëtirë. Ai nuk ishte pjesë e bashkësisë së Koreut, që u mblodh kundër Zotit, por vdiq për faj të vet. Ai nuk pati djem. 4Përse të shuhet emri i atit tonë prej fisit të tij, vetëm se nuk pati djem? Na jep, pra, një pronë mes vëllezërve të atit tonë!».
5Moisiu e paraqiti çështjen e tyre para Zotit 6dhe Zoti i tha: 7«Kërkesa e bijave të Celofehadit është e drejtë. Jepu pronë për trashëgimi mes vëllezërve të atit të tyre që të trashëgojnë pronën e atit të tyre. 8Thuaju edhe izraelitëve: “Nëse dikush vdes pa pasur bir, trashëgimia t'i kalojë të bijës. 9Nëse nuk ka bija, t'u jepet të vëllezërve. 10Nëse nuk ka vëllezër, t'u jepet vëllezërve të atit të tij. 11Nëse as ati i tij nuk ka vëllezër, t'i jepet farefisit më të afërt dhe ai do ta zotërojë”. Ky të jetë rregull gjykimi për izraelitët, siç e urdhëroi Zoti Moisiun».
Jozuehu
12 Zoti i tha Moisiut: «Ngjitu në malin Abarim dhe vështro tokën që u kam dhënë izraelitëve. 13Pasi ta shohësh, do të vdesësh edhe ti. Do të varrosesh me popullin tënd, ashtu siç u varros edhe Aroni, vëllai yt, 14sepse kur bashkësia u grind në shkretëtirën e Cinit, ju u ngritët kundër fjalës sime e nuk më shenjtëruat para tyre tek ujërat e Meribës së Kadeshit, në shkretëtirën e Cinit». 15Moisiu i tha Zotit: 16«Zoti, Perëndia që i jep jetë çdo qenieje, të caktojë dikë në krye të bashkësisë, 17që t'i dalë para e t'i prijë, ta drejtojë e ta udhëheqë, që bashkësia e Zotit të mos jetë si dhentë pa bari». 18Zoti i tha: «Merre Jozuehun, birin e Nunit, një njeri me shpirt, dhe vër duart mbi të. 19Sille para priftit Eleazar e para tërë bashkësisë dhe në prani të tyre caktoje prijës. 20Le të gëzojë lavdinë tënde, që bashkësia e izraelitëve ta dëgjojë, 21por ai do të paraqitet te prifti Eleazar, i cili do të pyesë Zotin për të me anë të urimeve. Jozuehu dhe gjithë bashkësia e izraelitëve do të drejtohet sipas fjalës së Eleazarit». 22Moisiu bëri siç i tha Zoti. E mori Jozuehun dhe e solli para priftit Eleazar e para tërë bashkësisë. 23Vuri duart mbi të dhe e caktoi prijës siç kishte thënë Zoti përmes Moisiut.

Aktualisht i përzgjedhur:

Numrat 27: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë