Numrat 26
26
Regjistrimi
1Pastaj, pas plagës, Zoti i tha Moisiut dhe Eleazarit, birit të priftit Aron: 2«Numëroni sipas familjeve të etërve, nga mosha njëzet vjeç e sipër tërë bashkësinë e Izraelit, tërë ata që janë të aftë për luftë». 3Kur izraelitët ishin në stepat e Moabit, pranë Jordanit kundruall Jerikosë, Moisiu e prifti Eleazar u thanë: 4«Numëroni këdo që është njëzet vjeç e sipër, siç e urdhëroi Zoti Moisiun».
Këta ishin izraelitët që dolën nga toka e Egjiptit: 5Rubeni, i parëlinduri i Izraelit. Bijtë e Rubenit ishin klani i enokitëve që rrjedh prej Enokut, klani i paluitëve që rrjedh prej Paluit, 6klani i hecronitëve që rrjedh prej Hecronit dhe klani i harmitëve që rrjedh prej Harmiut. 7Këto ishin klanet e rubenitëve që numëronin dyzet e shtatë mijë e shtatëqind e tridhjetë vetë.
8Biri i Paluit ishte Eliabi. 9Bijtë e Eliabit ishin Nemueli, Datani e Abirami. Datani e Abirami ishin ata që përfaqësuan bashkësinë që iu kundërvu Moisiut e Aronit, kur iu bashkuan bashkësisë së Koreut e iu kundërvunë Zotit. 10Kjo bashkësi vdiq kur toka hapi gojën e i përpiu bashkë me Koreun. Zjarri përpiu dyqind e pesëdhjetë burra që u bënë shembull. 11Megjithatë, bijtë e Koreut nuk vdiqën.
12Këta janë bijtë e Simeonit sipas klaneve: klani i nemuelitëve që rrjedh prej Nemuelit, klani i jaminitëve që rrjedh prej Jaminit, klani i jakinitëve që rrjedh prej Jakinit, 13klani i zerahitëve që rrjedh prej Zerahut dhe klani i saulitëve që rrjedh prej Saulit. 14Këto ishin klanet e simeonitëve që numëronin njëzet e dy mijë e dyqind vetë.
15Këta ishin bijtë e Gadit sipas klaneve: klani i cefonitëve që rrjedh prej Cefonit, klani i hagitëve që rrjedh prej Hagiut, klani i shunitëve që rrjedh prej Shuniut, 16klani i oznitëve që rrjedh prej Ozniut, klani i eritëve që rrjedh prej Erit, 17klani i aroditëve që rrjedh prej Arodit dhe klani i arelitëve që rrjedh prej Arielit. 18Këto ishin klanet e bijve të Gadit që numëronin dyzet mijë e pesëqind vetë.
19Bijtë e Judës ishin Eri e Onani. Ata vdiqën në tokën e Kanaanit. 20Këta ishin bijtë e Judës sipas klaneve: klani i shelahitëve që rrjedh prej Shelahut, klani i perecitëve që rrjedh prej Perecit dhe klani i zerahitëve që rrjedh prej Zerahut. 21Bijtë e Perecit ishin klani i hecronitëve që rrjedh prej Hecronit dhe klani i hamulëve që rrjedh prej Hamulit. 22Këto ishin klanet e Judës që numëronin shtatëdhjetë e gjashtë mijë e pesëqind vetë.
23Këta ishin bijtë e Isaharit sipas klaneve: klani i tolaitëve që rrjedh prej Tolait, klani i punitëve që rrjedh prej Puahut, 24klani i jashubitëve që rrjedh prej Jashubit dhe klani i shimronitëve që rrjedh prej Shimronit. 25Këto ishin klanet e Isaharit që numëronin gjashtëdhjetë e katër mijë e treqind vetë.
26Këta ishin bijtë e Zabulonit sipas klaneve: klani i sereditëve që rrjedh prej Seredit, klani i elonitëve që rrjedh prej Elonit dhe klani i jahlelitëve që rrjedh prej Jahlelit. 27Këto ishin klanet e zabulonitëve që numëronin gjashtëdhjetë mijë e pesëqind vetë.
28Bijtë e Jozefit sipas klaneve ishin Manaseu dhe Efraimi. 29Bijtë e Manaseut ishin klani i makiritëve që rrjedh prej Makirit. Atij i lindi Gileadi prej nga rrjedh klani i gileadëve. 30Këta ishin bijtë e Gileadit: klani i jezeritëve që rrjedh prej Jezerit, klani i helekitëve që rrjedh prej Helekut, 31klani i asrielitëve që rrjedh prej Asrielit, klani i shekemitëve që rrjedh prej Shekemit, 32klani i shemidaitëve që rrjedh prej Shemidait dhe klani i heferitëve që rrjedh prej Heferit. 33Celofehadi, biri i Heferit, nuk pati bij, por vetëm bija. Ato quheshin Mahla, Noa, Hogla, Milka e Tirca. 34Këto ishin klanet e Manaseut që numëronin pesëdhjetë e dy mijë e shtatëqind vetë.
35Këta ishin bijtë e Efraimit sipas klaneve: klani i shutelahitëve që rrjedh prej Shutelahut, klani i bekeritëve që rrjedh prej Bekerit dhe klani i tahanitëve që rrjedh prej Tahanit. 36Bijtë e Shutelahut ishin klani i eranitëve që rrjedh prej Eranit. 37Këto ishin klanet e bijve të Efraimit që numëronin tridhjetë e dy mijë e pesëqind vetë. Këta ishin bijtë e Jozefit sipas klaneve.
38Këta ishin bijtë e Benjaminit sipas klaneve: klani i belaitëve që rrjedh prej Belait; klani i ashbelitëve që rrjedh prej Ashbelit; klani i ahiramitëve që rrjedh prej Ahiramit; 39klani i shefufamitëve që rrjedh prej Shefufamit dhe klani i hupamitëve që rrjedh prej Hupamit. 40Bijtë e Belait ishin Aredi e Namani prej nga rrjedhin klani i areditëve dhe i namanitëve. 41Këta ishin bijtë e Benjaminit sipas klaneve që numëronin dyzet e pesë mijë e gjashtëqind vetë.
42Bijtë e Danit sipas klaneve ishin klani i shuhamitëve që rrjedh prej Shuhamit. Këto ishin klanet e Danit. 43Gjithë klani i shuhamitëve numëronte gjashtëdhjetë e katër mijë e katërqind vetë.
44Bijtë e Asherit sipas klaneve ishin klani i imnahitëve që rrjedh prej Imnahut, klani i ishvitëve që rrjedh prej Ishviut dhe klani i berjahitëve që rrjedh prej Berjahut. 45Bijtë e Berjahut ishin klani i heberitëve që rrjedh prej Heberit dhe klani i malkielitëve që rrjedh prej Malkielit. 46Bija e Asherit quhej Sara. 47Këto ishin klanet e bijve të Asherit që numëronin pesëdhjetë e tre mijë e katërqind vetë.
48Bijtë e Neftaliut sipas klaneve ishin klani i jahcelitëve që rrjedh prej Jahcelit, klani i gunitëve që rrjedh prej Guniut, 49klani i jeceritëve që rrjedh prej Jecerit dhe klani i shilemitëve që rrjedh prej Shilemit. 50Këto ishin klanet e Neftaliut që numëronin dyzet e pesë mijë e katërqind vetë.
51Izraelitët gjithsej numëronin gjashtëqind e një mijë e shtatëqind e tridhjetë vetë.
52 Zoti i tha Moisiut: 53«Toka të ndahet për pronë mes tyre sipas numrit të anëtarëve. 54Ata që kanë shumë anëtarë do të trashëgojnë më shumë dhe ata që kanë pak anëtarë do të trashëgojnë më pak. Secilit do t'i jepet për pronë sipas numrit të regjistrit. 55Veçse toka të caktohet me short sipas emrave të fiseve. 56Trashëgimia e tyre të ndahet me short si për fiset e mëdha, edhe për të voglat».
57Ky është regjistri i levitëve sipas klaneve: klani i gershonitëve që rrjedh prej Gershonit, klani i kohatitëve që rrjedh prej Kohatit dhe klani i meraritëve që rrjedh prej Merarit. 58Këto janë klanet e Levit: klani i libnitëve, klani i hebronitëve, klani i mahlitëve, klani i mushitëve dhe klani i korahitëve. Kohatit i lindi Amrami. 59Gruaja e Amramit quhej Johebeda, bija e Levit që i lindi në Egjipt. Ajo i lindi Amramit Aronin, Moisiun e Mirjamën, motrën e tyre. 60Aronit i lindi Nadabi, Abihui, Eleazari e Itamari. 61Nadabi e Abihui vdiqën kur i paraqitën Zotit zjarr të ndaluar. 62Ata numëronin njëzet e tre mijë meshkuj njëmuajsh e sipër. Ata nuk u përfshinë në regjistrin e izraelitëve e as nuk morën pronë mes tyre.
63Ky ishte regjistri i izraelitëve që Moisiu e prifti Eleazar përpiloi kur ishin në stepat e Moabit, pranë Jordanit, kundruall Jerikosë. 64Nuk gjendej ndër ta asnjë izraelit që ishte regjistruar më parë nga Moisiu e prifti Aron kur ishin në Sina, 65sepse Zoti u pati thënë se do të vdisnin të gjithë në shkretëtirë dhe se askush nuk do të mbetej gjallë, përveç Kalebit, birit të Jefunehut dhe Jozuehut, birit të Nunit.
Aktualisht i përzgjedhur:
Numrat 26: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020