Në muajin e parë, tërë bashkësia izraelite mbërriti në shkretëtirën e Cinit e populli qëndroi në Kadesh. Atje vdiq e u varros Mirjama. Atje nuk kishte ujë për bashkësinë, prandaj u mblodhën kundër Moisiut e Aronit. Populli u grind me Moisiun e i tha: «Ah, sikur të kishim vdekur edhe ne kur na vdiqën vëllezërit para ZOTIT. Përse e sollët bashkësinë e ZOTIT në këtë shkretëtirë, që të vdesim këtu ne dhe bagëtitë tona? Përse na nxorët nga Egjipti e na sollët në këtë vend të keq? Ky s'është vend ku mund të mbillet. Nuk ka as fiq, as vreshta, as shegë e as ujë për të pirë». Atëherë Moisiu e Aroni u larguan nga bashkësia e shkuan në hyrje të tendës së takimit. Ata ranë me fytyrë përdhe e iu shfaq lavdia e ZOTIT. ZOTI i tha Moisiut: «Merre shkopin e bashkë me Aronin, vëllanë tënd, mblidhe bashkësinë. Flitini shkëmbit në sy të të gjithëve, që të nxjerrë ujë. Kështu do t'u nxjerrësh ujë nga shkëmbi e do t'i japësh për të pirë bashkësisë e bagëtive». Moisiu e mori shkopin prej pranisë së ZOTIT siç e kishte urdhëruar ZOTI. Ai bashkë me Aronin e mblodhi bashkësinë para shkëmbit e u tha: «Dëgjoni, o kryengritës! Doni t'ju nxjerrim ujë nga ky shkëmb?». Atëherë Moisiu e ngriti dorën, i ra shkëmbit dy herë me shkop e prej tij doli shumë ujë. Kështu, pinë bashkësia e bagëtia. Por, ZOTI i tha Moisiut e Aronit: «Nuk do ta çoni këtë bashkësi në tokën që u kam dhënë, sepse nuk më besuat për të më shenjtëruar para izraelitëve». Këto janë ujërat e Meribës, ku izraelitët u grindën me ZOTIN dhe ku ai u tregua i shenjtë mes tyre.
Lexo Numrat 20
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Numrat 20:1-13
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video