Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Numrat 20:1-13

Numrat 20:1-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Në muajin e parë, tërë bashkësia izraelite mbërriti në shkretëtirën e Cinit e populli qëndroi në Kadesh. Atje vdiq e u varros Mirjama. Atje nuk kishte ujë për bashkësinë, prandaj u mblodhën kundër Moisiut e Aronit. Populli u grind me Moisiun e i tha: «Ah, sikur të kishim vdekur edhe ne kur na vdiqën vëllezërit para ZOTIT. Përse e sollët bashkësinë e ZOTIT në këtë shkretëtirë, që të vdesim këtu ne dhe bagëtitë tona? Përse na nxorët nga Egjipti e na sollët në këtë vend të keq? Ky s'është vend ku mund të mbillet. Nuk ka as fiq, as vreshta, as shegë e as ujë për të pirë». Atëherë Moisiu e Aroni u larguan nga bashkësia e shkuan në hyrje të tendës së takimit. Ata ranë me fytyrë përdhe e iu shfaq lavdia e ZOTIT. ZOTI i tha Moisiut: «Merre shkopin e bashkë me Aronin, vëllanë tënd, mblidhe bashkësinë. Flitini shkëmbit në sy të të gjithëve, që të nxjerrë ujë. Kështu do t'u nxjerrësh ujë nga shkëmbi e do t'i japësh për të pirë bashkësisë e bagëtive». Moisiu e mori shkopin prej pranisë së ZOTIT siç e kishte urdhëruar ZOTI. Ai bashkë me Aronin e mblodhi bashkësinë para shkëmbit e u tha: «Dëgjoni, o kryengritës! Doni t'ju nxjerrim ujë nga ky shkëmb?». Atëherë Moisiu e ngriti dorën, i ra shkëmbit dy herë me shkop e prej tij doli shumë ujë. Kështu, pinë bashkësia e bagëtia. Por, ZOTI i tha Moisiut e Aronit: «Nuk do ta çoni këtë bashkësi në tokën që u kam dhënë, sepse nuk më besuat për të më shenjtëruar para izraelitëve». Këto janë ujërat e Meribës, ku izraelitët u grindën me ZOTIN dhe ku ai u tregua i shenjtë mes tyre.

Numrat 20:1-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj tërë asambleja e bijve të Izraelit arriti në shkretëtirën e Sinit në muajin e parë dhe populli qëndroi në Kadesh. Këtu vdiq dhe u varros Miriami. Por mungonte uji për asamblenë, prandaj u mblodhën kundër Moisiut dhe Aaronit. Kështu populli u grind me Moisiun dhe i foli, duke i thënë: "Të kishim vdekur kur vdiqën vëllezërit tanë para Zotit! Pse e çuat asamblenë e Zotit në këtë shkretëtirë që të vdesim, ne dhe bagëtia jonë? Dhe pse na bëtë të dalim nga Egjipti për të na sjellë në këtë vend të keq? Nuk është një vend që prodhon grurë, fiq, rrush ose shegë dhe mungon uji për të pirë". Atëherë Moisiu dhe Aaroni u larguan nga asambleja për të vajtur në hyrje të çadrës së mbledhjes dhe ranë përmbys me fytyrën për tokë; dhe lavdia e Zotit iu shfaq atyre. Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë: "Merr bastunin; ti dhe vëllai yt Aaron thirrni asamblenë dhe para syve të tyre i flisni shkëmbit, dhe ai do të japë ujin e tij; kështu do të nxjerrësh për ta ujë nga shkëmbi dhe do t'u japësh të pinë njerëzve dhe bagëtisë së tyre". Moisiu mori, pra, bastunin që ishte përpara Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti. Kështu Moisiu dhe Aaroni thirrën asamblenë përpara shkëmbit dhe Moisiu u tha atyre: "Tani dëgjoni, o rebelë; a duhet të nxjerrim ujë për ju nga ky shkëmb?". Pastaj Moisiu ngriti dorën, goditi shkëmbin me bastunin e tij dy herë dhe prej tij doli ujë me bollëk; kështu asambleja dhe bagëtia pinë ujë. Atëherë Zoti u tha Moisiut dhe Aaronit: "Me qenë se nuk më besuat për të më mbuluar me lavdi para syve të bijve të Izraelit, ju nuk do ta futni këtë asamble në vendin që unë u dhashë atyre". Këto janë ujërat e Meribës ku bijtë e Izraelit u grindën me Zotin, dhe ky u tregua i Shenjtë në mes tyre.