Numrat 18
18
Përgjegjësitë e priftërinjve
1 Zoti i tha Aronit: «Ti, bijtë e tu dhe familja e atit tënd do të përgjigjeni për çdo faj të kryer kundër shenjtërores dhe gjatë shërbesës suaj si priftërinj. 2Bashkë me veten paraqit edhe vëllezërit prej fisit të Levit, fisit të etërve të tu, që të të shoqërojnë e të të shërbejnë kur ti bashkë me bijtë e tu të jeni para tendës së dëshmisë. 3Ata të kujdesen për shërbesën tënde dhe për atë të tendës, por të mos i afrohen enëve të shenjtërores dhe altarit, që të mos vdesin, as ata e as ju. 4Do të të shoqërojnë e do të kujdesen për çdo shërbesë të tendës së takimit. Askush tjetër nuk do t'ju afrohet. 5Do të kujdeseni për shërbesën e shenjtërores e të altarit, që zemërimi i Zotit të mos ndizet më kundër izraelitëve. 6Ja, unë i kam marrë levitët, vëllezërit tuaj, nga mesi i izraelitëve si dhuratë kushtuar Zotit e jua kam dhuruar që të shërbejnë në tendën e takimit. 7Ndërsa ti bashkë me bijtë e tu do të kujdeseni si priftërinj për çdo gjë në altar dhe për çdo gjë brenda velit. Kjo është shërbesa juaj. Si dhuratë për këtë shërbesë ju jap priftërinë. Kushdo tjetër që afrohet, do të vdesë».
Pjesa e priftërinjve
8 Zoti i tha Moisiut e Aronit: «Ja, unë të kam besuar dhuratat që më kushtohen. Të gjitha gjërat e shenjta të kushtuara nga izraelitët t'i kam dhënë për pjesë ty e bijve të tu. Ky është rregull i përhershëm. 9Nga flitë më të shenjta, ty do të të përkasin të gjitha flitë që nuk digjen, ato të drithit, të mëkatit dhe të fajit. Ato të jenë tejet të shenjta për ty e bijtë e tu. 10Haji në vendin më të shenjtë. Mund t'i hajë çdo mashkull. Ato të jenë të shenjta për ty. 11Ty do të të përkasin edhe dhuratat e izraelitëve të kushtuara si fli lartësimi. Ato ua kam dhënë bijve e bijave të tua. Ky është rregull i përhershëm. Ato mund t'i hajë çdo pjesëtar i pastër i shtëpisë tënde. 12Ty t'i kam dhënë të gjitha frytet e para që i kushtohen Zotit, më të mirën e vajit, e verës e të drithit. 13Ty do të të përkasin frytet e para të tokës që i sillen Zotit. Ato mund t'i hajë çdo pjesëtar i shtëpisë tënde. 14Ty do të të përkasë çdo gjë që ndahet veç për Zotin në Izrael. 15Çdo fryt i parë i barkut, si i njerëzve, edhe i kafshëve, që i paraqitet Zotit do të të përkasë ty. Por të parëlindurit e njerëzve e të kafshëve të papastra do t'i shpaguash. 16Pas një muaji, caktoje çmimin e shpagimit pesë sikla, e barabartë me gjashtëdhjetë gramë sipas peshës së shenjtërores. 17Të parëlindurit e qeve, të dhenve e të dhive mos i shpago. Ata janë të shenjtë. Derdhe gjakun e tyre në altar e digje dhjamin e tyre si fli erëkëndshme zjarri për Zotin. 18Mishi i tyre do të të përkasë ty ashtu siç të përket gjoksi i flisë së lartësimit dhe kofsha e djathtë. 19Ty t'i kam dhënë të gjitha dhuratat e shenjta që izraelitët i kushtojnë Zotit. T'i kam dhënë ty, bijve të tu e bijave të tua që janë me ty. Ky është rregull i përhershëm. Kjo është një besëlidhje e përhershme para Zotit, e pathyeshme si kripa, për ty e për pasardhësit e tu».
Prona e levitëve
20 Zoti i tha Aronit: «Nuk do të kesh trashëgimi në tokën e tyre e as pjesë mes tyre. Unë jam pjesa dhe trashëgimia jote mes izraelitëve. 21Levitëve u kam dhënë për trashëgimi të gjitha të dhjetat që jep Izraeli në këmbim të shërbesës që kryejnë në tendën e takimit. 22Kështu, izraelitët nuk do t'i afrohen më tendës së takimit, që të mos mëkatojnë e të vdesin. 23Vetëm levitët do të shërbejnë në tendën e takimit dhe ata do të përgjigjen për fajet e tyre. Ky është rregull i përhershëm brez pas brezi. Ata nuk do të kenë trashëgimi mes izraelitëve, 24sepse u kam dhënë për trashëgimi të dhjetat që izraelitët i kushtojnë si dhuratë Zotit, prandaj dhe u thashë se nuk do të kenë trashëgimi mes izraelitëve».
25 Zoti i tha Moisiut: 26«Fol me levitët e thuaju që kur ta marrin të dhjetën e izraelitëve, që ua kam dhënë si trashëgimi, t'i kushtojnë si dhuratë Zotit një të dhjetën e saj, pra të dhjetën e të dhjetave. 27Kjo do t'ju njihet si dhuratë, e njëjtë me atë të drithit të lëmit e të lëngut të torkut. 28Kështu, edhe ju do t'i kushtoni dhuratë Zotit nga të gjitha të dhjetat që do të merrni nga izraelitët. Këtë dhuratë kushtuar Zotit do t'ia jepni priftit Aron. 29Kushtoni si dhuratë pjesën që i takon Zotit nga të gjitha dhuratat që merrni. Pjesa që do të shenjtëroni të jetë ndër më të mirat. 30Pasi ta kushtojnë pjesën më të mirë, levitët ta shohin pjesën që mbetet njësoj si prodhimi i lëmit e i torkut. 31Ti dhe familja jote mund t'i hani në çdo vend, sepse është paga juaj për shërbimin që kryeni në tendën e takimit. 32Nëse i kushtoni më të mirat nuk do të bini në mëkat për shkak të tyre e nuk do t'i përdhosni kushtimet e shenjta të izraelitëve. E kështu nuk do të vdisni».
Aktualisht i përzgjedhur:
Numrat 18: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020