Numrat 12
12
Mirjama dhe Aroni kundër Moisiut
1Mirjama e Aroni folën kundër Moisiut për shkak të gruas kushite që kishte marrë. 2Ata thanë: «A thua Zoti ka folur vetëm përmes Moisiut? A nuk ka folur edhe përmes nesh?». Zoti i dëgjoi. 3Moisiu ishte njeri shumë i përulur, më i përuluri ndër tërë njerëzit mbi faqen e dheut. 4Zoti foli menjëherë me Moisiun, Aronin e Mirjamën e u tha: «Ejani të tre në tendën e takimit». Ata shkuan të tre. 5Atëherë Zoti zbriti në shtyllën e resë dhe qëndroi në hyrje të tendës. Ai thirri Aronin e Mirjamën. Ata shkuan të dy. 6Zoti u tha:
«Dëgjoni fjalët e mia!
Profetit të Zotit mes jush
i dëftehem në vegim,
në ëndërr i flas.
7Me Moisiun, shërbëtorin tim,
nuk sillem kështu.
Tërë shtëpia ime
i besohet atij.
8Goja-gojës flas me të,
hapur e jo me gjëza.
Pamjen e Zotit ai vështron.
Frikë si nuk patët, pra,
kundër Moisiut, shërbëtorit tim, të flisnit?».
9 Zoti u zemërua me ta e u largua.
10Kur reja u largua nga tenda, Mirjamën e zuri lebra. Lëkura e saj u bë e bardhë si bora. Aroni u kthye drejt Mirjamës dhe vuri re që e kishte zënë lebra. 11Atëherë ai i tha Moisiut: «Imzot, të lutem mos na e ngarko fajin që me marrëzi bëmë e mëkatuam. 12Mos e lër Mirjamën si një foshnjë të vdekur që në bark të nënës, me mishin gjysmë të kalbur». 13Atëherë Moisiu i thirri Zotit: «O Perëndi, të lutem shëroje!». 14Zoti iu përgjigj: «Po ta kishte pështyrë i ati në fytyrë, a nuk do të turpërohej për shtatë ditë? Largojeni pra, nga fushimi për shtatë ditë e pastaj të kthehet». 15Kështu Mirjama u largua nga fushimi për shtatë ditë dhe populli nuk u nis prej andej derisa u kthye ajo. 16Pastaj populli u nis nga Haceroti e fushoi në shkretëtirën e Paranit.
Aktualisht i përzgjedhur:
Numrat 12: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020