Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Nehemia 2:9-20

Nehemia 2:9-20 AL1

Kur mbërrita te qeveritarët e tejlumit, u dhashë letrat e mbretit. Mbreti më kishte dhënë me vete një shpurë prijësish e disa kalorës. Sanbalat Horoniti e shërbëtori i tij amonit, Tobia, dëgjuan për këtë dhe u erdhi shumë keq që dikush kishte ardhur për t'u dalë zot izraelitëve. Kur mbërrita në Jerusalem, ndenja aty tri ditë. Pastaj u ngritëm me natë unë e ata pak burra që ishin me mua, pa i treguar askujt çfarë Perëndia më kishte shtënë në zemër të bëja për Jerusalemin. Nuk mora me vete asnjë kafshë, përveç kafshës ku ndenja kaluar. Dola me natë nga Porta e Luginës, drejt Pusit të Dragoit e drejt Portës së Hedhurinave dhe pashë si ishin shembur muret e Jerusalemit e si i kishte përpirë zjarri portat e tij. Pastaj kalova nga Porta e Burimit e nga Hurdha e Mbretit, por nuk pati asnjë vend ku të mund të kalonte kafsha ku kisha hipur. Atëherë iu ngjita luginës nëpër natë, u solla duke vëzhguar murin, mbërrita te Porta e Luginës e u ktheva. Zyrtarët nuk e morën vesh ku shkova, as çfarë bëra. Nuk kisha njoftuar as judenjtë, as priftërinjtë, as fisnikët, as zyrtarët e as ata që merreshin me punimet. Atëherë u thashë: «Ju e shihni vetë në çfarë mjerimi gjendemi. Jerusalemi është shkretuar e zjarri ia ka djegur portat. Ejani t'i ndërtojmë muret e Jerusalemit, që të mos na përçmojnë më». U tregova se kisha me vete përkrahjen e Perëndisë dhe fjalët që më kishte thënë mbreti. Ata thanë: «Të ngrihemi e ta rindërtojmë!». Pastaj ata i mbrehën duart për këtë vepër të mirë. Kur Sanbalat Horoniti, Tobia, shërbëtori i tij amonit, dhe Geshem Arabi i dëgjuan këto, u tallën me ne e na përqeshën, duke thënë: «Ç'është kjo që po bëni? Po ngriheni kundër mbretit?». Atëherë unë u thashë: «Perëndia i qiellit do të na e bëjë mbarë dhe ne, shërbëtorët e tij, do të ngrihemi e do të ndërtojmë, ndërsa ju nuk keni as pjesë, as të drejtë e as kujtime në Jerusalem».

Devocione dhe Plane Leximi falas për Nehemia 2:9-20