Nehemia 2:9-20
Nehemia 2:9-20 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kur mbërrita te qeveritarët e tejlumit, u dhashë letrat e mbretit. Mbreti më kishte dhënë me vete një shpurë prijësish e disa kalorës. Sanbalat Horoniti e shërbëtori i tij amonit, Tobia, dëgjuan për këtë dhe u erdhi shumë keq që dikush kishte ardhur për t'u dalë zot izraelitëve. Kur mbërrita në Jerusalem, ndenja aty tri ditë. Pastaj u ngritëm me natë unë e ata pak burra që ishin me mua, pa i treguar askujt çfarë Perëndia më kishte shtënë në zemër të bëja për Jerusalemin. Nuk mora me vete asnjë kafshë, përveç kafshës ku ndenja kaluar. Dola me natë nga Porta e Luginës, drejt Pusit të Dragoit e drejt Portës së Hedhurinave dhe pashë si ishin shembur muret e Jerusalemit e si i kishte përpirë zjarri portat e tij. Pastaj kalova nga Porta e Burimit e nga Hurdha e Mbretit, por nuk pati asnjë vend ku të mund të kalonte kafsha ku kisha hipur. Atëherë iu ngjita luginës nëpër natë, u solla duke vëzhguar murin, mbërrita te Porta e Luginës e u ktheva. Zyrtarët nuk e morën vesh ku shkova, as çfarë bëra. Nuk kisha njoftuar as judenjtë, as priftërinjtë, as fisnikët, as zyrtarët e as ata që merreshin me punimet. Atëherë u thashë: «Ju e shihni vetë në çfarë mjerimi gjendemi. Jerusalemi është shkretuar e zjarri ia ka djegur portat. Ejani t'i ndërtojmë muret e Jerusalemit, që të mos na përçmojnë më». U tregova se kisha me vete përkrahjen e Perëndisë dhe fjalët që më kishte thënë mbreti. Ata thanë: «Të ngrihemi e ta rindërtojmë!». Pastaj ata i mbrehën duart për këtë vepër të mirë. Kur Sanbalat Horoniti, Tobia, shërbëtori i tij amonit, dhe Geshem Arabi i dëgjuan këto, u tallën me ne e na përqeshën, duke thënë: «Ç'është kjo që po bëni? Po ngriheni kundër mbretit?». Atëherë unë u thashë: «Perëndia i qiellit do të na e bëjë mbarë dhe ne, shërbëtorët e tij, do të ngrihemi e do të ndërtojmë, ndërsa ju nuk keni as pjesë, as të drejtë e as kujtime në Jerusalem».
Nehemia 2:9-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Arrita kështu te qeveritarët e krahinës matanë Lumit dhe u dhashë atyre letrat e mbretit. Me mua mbreti kishte dërguar një trup përcjellës të përbërë nga komandantë të ushtrisë dhe nga kalorës. Por kur Sanbalati, horoniti dhe Tobiahu, shërbëtori i Amonit, e mësuan këtë gjë, u shqetësuan shumë, sepse kishte ardhur një burrë që kërkonte të mirën e bijve të Izraelit. Kështu arrita në Jeruzalem dhe qëndrova atje tri ditë. Pastaj u ngrita natën me pak burra të tjerë, por nuk i thashë gjë asnjeriut nga ato që Perëndia im më kishte vënë në zemër të bëja për Jeruzalemin. Nuk kisha me vete asnjë kafshë tjetër, barre, veç asaj së cilës i kisha hipur. Dola natën nga porta e Luginës, në drejtim të burimit të Dragoit dhe të portës së Plehut, duke kontrolluar kështu muret e Jeruzalemit që ishin plot me të çara dhe portat e tij të konsumuara nga zjarri. Vazhdova pastaj me portën e Burimit dhe pishinën e Mbretit, por nuk kishte vend nga të kalonte kafsha mbi të cilën kisha hipur. Atëherë iu ngjita natën luginës, duke inspektuar gjithnjë muret; më në fund u ktheva prapa, duke hyrë nga porta e Luginës, dhe kështu u ktheva. Zyrtarët nuk dinin se ku kisha shkuar dhe as me se isha marrë. Deri në atë çast nuk u kisha thënë asgjë judenjve, priftërinjve, parisë, zyrtarëve dhe as atyre që merreshin me punimet. Atëherë u thashë atyre: "Ju e shikoni gjendjen e mjeruar në të cilat ndodhemi: Jeruzalemi është shkatërruar dhe portat e tij janë konsumuar nga zjarri! Ejani, t'i rindërtojmë muret e Jeruzalemit, dhe kështu nuk do të jemi më të turpëruar!". U tregova pastaj atyre si dora bamirëse e Perëndisë tim kishte qenë mbi mua si dhe fjalët që mbreti më kishte thënë. Atëherë ata thanë: "Të ngrihemi dhe t'i vihemi ndërtimit!". Kështu morën kurajo për t'i forcuar duart e tyre për këtë punë të rëndësishme. Por kur Sanbalati, horoniti dhe Tobiahu, shërbëtori Amonit, dhe Geshemi, arabi, e mësuan këtë gjë, filluan të tallen dhe të na përbuzin, duke thënë: "Çfarë po bëni? Mos doni, vallë, të ngrini krye kundër mbretit?". Atëherë unë u përgjigja dhe u thashë atyre: "Do të jetë vetë Perëndia i qiellit që do të na sigurojë suksesin. Ne, shërbëtorët e tij, do të fillojmë ndërtimin, por për ju nuk do të ketë as pjesë, as të drejtë, as kujtim në Jeruzalem".