Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 9:14-29

Marku 9:14-29 AL1

Kur erdhën te dishepujt e tjerë, panë rreth tyre një turmë të madhe dhe shkruesit që po diskutonin me ta. Tërë ajo turmë u habit kur e pa Jezuin. Njerëzit vrapuan tek ai dhe e përshëndetën. Jezui i pyeti: «Çfarë po diskutoni me ta?». Njëri nga turma iu përgjigj: «Mësues, të kam sjellë tim bir, se e mundon një shpirt që nuk e lë të flasë. Kudo që e kap, e përplas përdhe dhe ai nxjerr shkumë nga goja, kërcëllin dhëmbët e mpihet. U thashë edhe dishepujve të tu t'ia dëbojnë, por nuk mundën». Jezui tha: «O brezni e pafe! Edhe sa kohë do të jem me ju? Deri kur do t'ju duroj? Sillmani këtu!». Ata e sollën djaloshin tek ai. Kur e pa Jezuin, shpirti e shkundi menjëherë djalin. Ai ra përdhe e u rrotullua duke i dalë shkumë nga goja. Jezui e pyeti të atin e djalit: «Sa kohë ka që është kështu?». Ai u përgjigj: «Që në fëmijëri. Disa herë e ka hedhur në zjarr e në ujë për ta vrarë. Nëse mundesh, ki dhembshuri për ne e na ndihmo!». Jezui i tha: «Nëse mundem? Gjithçka është e mundur për atë që beson». Menjëherë i ati i fëmijës thirri: «Besoj. Ndihmomë në besimin tim të pakët!». Kur Jezui pa se turma po mblidhej me vrap, e qortoi shpirtin e ndyrë e i tha: «Shpirt memec e shurdh, po të urdhëroj: dil prej tij e mos hyr më kurrë!». Shpirti bërtiti dhe si e shkundi mirë, doli prej tij e djali mbeti si i vdekur, saqë të gjithë thoshin: «Ka vdekur». Por Jezui e mori për dore dhe e ngriti. Atëherë djali u ngrit në këmbë. Kur hyri në shtëpinë ku po rrinin, dishepujt e pyetën veçmas: «Përse ne nuk mundëm ta dëbonim?». Jezui u tha: «Ky lloj shpirti nuk mund të dëbohet ndryshe, përveçse me lutje».