Marku 9:14-29
Marku 9:14-29 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kur erdhën te dishepujt e tjerë, panë rreth tyre një turmë të madhe dhe shkruesit që po diskutonin me ta. Tërë ajo turmë u habit kur e pa Jezuin. Njerëzit vrapuan tek ai dhe e përshëndetën. Jezui i pyeti: «Çfarë po diskutoni me ta?». Njëri nga turma iu përgjigj: «Mësues, të kam sjellë tim bir, se e mundon një shpirt që nuk e lë të flasë. Kudo që e kap, e përplas përdhe dhe ai nxjerr shkumë nga goja, kërcëllin dhëmbët e mpihet. U thashë edhe dishepujve të tu t'ia dëbojnë, por nuk mundën». Jezui tha: «O brezni e pafe! Edhe sa kohë do të jem me ju? Deri kur do t'ju duroj? Sillmani këtu!». Ata e sollën djaloshin tek ai. Kur e pa Jezuin, shpirti e shkundi menjëherë djalin. Ai ra përdhe e u rrotullua duke i dalë shkumë nga goja. Jezui e pyeti të atin e djalit: «Sa kohë ka që është kështu?». Ai u përgjigj: «Që në fëmijëri. Disa herë e ka hedhur në zjarr e në ujë për ta vrarë. Nëse mundesh, ki dhembshuri për ne e na ndihmo!». Jezui i tha: «Nëse mundem? Gjithçka është e mundur për atë që beson». Menjëherë i ati i fëmijës thirri: «Besoj. Ndihmomë në besimin tim të pakët!». Kur Jezui pa se turma po mblidhej me vrap, e qortoi shpirtin e ndyrë e i tha: «Shpirt memec e shurdh, po të urdhëroj: dil prej tij e mos hyr më kurrë!». Shpirti bërtiti dhe si e shkundi mirë, doli prej tij e djali mbeti si i vdekur, saqë të gjithë thoshin: «Ka vdekur». Por Jezui e mori për dore dhe e ngriti. Atëherë djali u ngrit në këmbë. Kur hyri në shtëpinë ku po rrinin, dishepujt e pyetën veçmas: «Përse ne nuk mundëm ta dëbonim?». Jezui u tha: «Ky lloj shpirti nuk mund të dëbohet ndryshe, përveçse me lutje».
Marku 9:14-29 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Mbasi u kthye te dishepujt, pa një turmë të madhe rreth tyre dhe disa skribë që po grindeshin me ta. Dhe menjëherë e gjithë turma, kur e pa, u habit dhe erdhi me vrap për ta përshëndetur. Atëherë ai i pyeti skribët: ''Për çfarë po diskutoni me ta?''. Dhe dikush nga turma, duke u përgjigjur, tha: ''Mësues, të prura djalin tim që ka një frymë memece, dhe e kap kudo, e përplas dhe ai shkumon, kërcëllon dhëmbët dhe i ngrijnë gjymtyrët. Dhe u thashë dishepujve të tu ta dëbojnë, por ata s'e bënë dot. Dhe ai duke u përgjigjur tha: ''O brez që s'beson, deri kur do të jem me ju? Deri kur do t'ju duroj? Ma sillni këtu!''. Dhe ata ia prunë. Por, sapo e pa, fryma e përplasi me forcë dhe fëmija, që kishte rënë përtokë, rrokullisej duke shkumuar. Dhe Jezusi e pyeti babanë e atij: ''Sa kohë ka që i ndodh kështu?''. Dhe ai tha: ''Që në fëmijëri. Shpesh e ka hedhur në zjarr dhe në ujë për ta shkatërruar por, nëse mund të bësh diçka, ki mëshirë për ne dhe na ndihmo!''. Dhe Jezusi i tha: ''Nëse ti mund të besosh, çdo gjë është e mundshme për atë që beson''. Menjëherë babai i fëmijës, duke bërtitur me lot, tha: ''Unë besoj, o Zot, ndihmo mosbesimin tim''. Atëherë Jezusi, duke parë se po vinte turma me vrap, e qortoi frymën e ndyrë duke thënë: ''O frymë memece dhe e shurdhët, unë po të urdhëroj, dil prej tij dhe mos hyr më kurrë tek ai!''. Dhe demoni, duke bërtitur dhe duke e sfilitur fort, doli prej tij. Dhe fëmija mbeti si i vdekur, saqë shumë njerëz thoshin: ''Ka vdekur''. Por Jezusi e zuri për dore, e ngriti dhe ai u çua në këmbë. Kur Jezusi hyri në shtëpi, dishepujt e vet e pyetën veçmas: ''Përse ne nuk mundëm ta dëbojmë?''. dhe ai u tha atyre: ''Ky lloj nuk mund të dëbohet ndryshe, përveç, se me lutje dhe agjërim''.