Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 7:6-22

Marku 7:6-22 AL1

Por ai u tha: «Hipokritë! Mirë profetizoi Isaia për ju kur shkroi: ky popull më nderon me buzë, por zemrat e tyre janë larg meje. Më kot më nderojnë, përderisa japin si mësim të Zotit urdhrat e njerëzve. Ju lini pas dore urdhërimin e Perëndisë për t'iu përmbajtur traditës së njerëzve». Dhe u tha: «Ju shpërfillni pa të keq urdhërimin e Perëndisë, për të mbajtur traditën tuaj. Në të vërtetë Moisiu ka thënë: ndero atin tënd e nënën tënde dhe kush flet keq për të atin e të ëmën, të dënohet me vdekje. Por ju thoni: “Nëse dikush i thotë të atit apo të ëmës se ndihmën që do t'ju jepja po e bëj korban, ‘që do të thotë dhuratë për Perëndinë’, atëherë ai është i çliruar nga detyrimi për të ndihmuar të atin apo të ëmën”. Kështu, ju shfuqizoni fjalën e Perëndisë me anë të traditës që keni trashëguar. Ju bëni edhe shumë gjëra të ngjashme me këto». Jezui e thirri sërish turmën pranë vetes e tha: «Dëgjomëni të gjithë e merrni vesh! Njeriun nuk mund ta ndotë asgjë që hyn tek ai nga jashtë, por e ndotin ato që dalin prej tij». Kur u nda nga turma e hyri në shtëpinë ku po rrinin, dishepujt e pyetën për shëmbëlltyrën. Ai u tha: «As ju nuk e keni kuptuar? A nuk e kuptoni se njeriun nuk mund ta ndotë çfarë hyn tek ai nga jashtë, se nuk hyn në zemër, por në bark e pastaj jashtëqitet?». Kështu Jezui i shpalli të pastra të gjitha ushqimet. Dhe vazhdoi: «Çfarë del prej njeriut është ajo që e ndot njeriun, se prej zemrës së njeriut dalin mendimet e liga, kurvëritë, vjedhjet, vrasjet, tradhtitë bashkëshortore, grykësitë, ligësitë, dinakëria, fëlligështia, smira, fyerjet, mburrja e marrëzia.