Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 5

5
Shërimi i të pushtuarit nga djalli
(Mt 8.28-34; Lk 8.26-39)
1Arritën në bregun tjetër të liqenit, në vendin e gerasenëve 2dhe menjëherë, sapo doli Jezui nga varka, erdhi nga varrezat tek ai një njeri i pushtuar nga një shpirt i ndyrë. 3Ai banonte në varreza dhe askush nuk mund ta lidhte më as me zinxhirë, 4sepse disa herë e kishin lidhur me pranga e zinxhirë, por ai i kishte këputur zinxhirët e i kishte thyer prangat dhe askush nuk mund ta zbuste dot. 5Natë e ditë rrinte nëpër varre e nëpër male, duke bërtitur e duke e prerë veten me gurë. 6Kur e pa Jezuin nga larg, ai vrapoi, ra në gjunjë para tij 7dhe thirri me zë të lartë: «Çfarë ke me mua, o Jezu, Biri i Perëndisë së tejlartë? Të përbej për Perëndinë, mos më mundo!». 8Jezui i tha: «Shpirt i ndyrë, dil nga ky njeri!». 9Dhe e pyeti: «Si e ke emrin?». Ai iu përgjigj: «Emri im është Legjion, se jemi shumë». 10Dhe djalli i lutej shumë Jezuit që të mos e dëbonte jashtë atij vendi.
11Aty pranë malit gjendej një tufë e madhe derrash që po kullotnin. 12Shpirtrat e ndyrë iu lutën Jezuit e i thanë: «Na dërgo të hyjmë te derrat!». 13Dhe ai i lejoi. Atëherë shpirtrat e ndyrë, me të dalë prej tij, u futën te derrat dhe tufa që gati arrinte numrin dy mijë, u hodh nga humnera në liqen e u mbyt. 14Rojtarët e derrave ua mbathën këmbëve dhe e përhapën lajmin në qytet e nëpër fshatra dhe njerëzit erdhën për të parë çfarë kishte ndodhur. 15Ata erdhën pranë Jezuit dhe kur panë të pushtuarin nga djalli, atë që kishte pasur Legjionin, që rrinte ulur dhe ishte i veshur e me mendje në rregull, i zuri frika.
16Ata që e kishin parë ngjarjen treguan çfarë kishte ndodhur me të pushtuarin nga djalli e me derrat. 17Atëherë ata iu lutën Jezuit që të largohej nga krahina e tyre. 18Ndërsa Jezui po hipte në varkë, njeriu që kishte qenë i pushtuar nga djalli i lutej të rrinte me të. 19Jezui nuk e lejoi, por i tha: «Shko në shtëpi te njerëzit e tu dhe tregoju çfarë ka bërë Zoti e sesi tregoi mëshirë për ty». 20Atëherë ai u largua dhe nëpër mbarë Dekapojën shpallte atë që kishte bërë Jezui për të dhe të gjithë mahniteshin.
Prekja shëruese
(Mt 9.18-26; Lk 8.40-56)
21Jezui kaloi përsëri me varkë në bregun tjetër dhe një turmë e madhe u mblodh rreth tij. Kur ishte në breg të liqenit, 22erdhi njëri prej kryetarëve të sinagogës me emrin Jair dhe sapo e pa Jezuin, i ra ndër këmbë 23e iu lut shumë, duke i thënë: «Vajza ime e vogël është në grahmat e fundit, prandaj eja, vëri duart mbi të, që të shpëtojë e të jetojë!». 24Jezui shkoi me të dhe një turmë e madhe, që shtyhej nga të gjitha anët, i shkoi pas.
25Një grua kishte dymbëdhjetë vjet që vuante nga hemorragjia. 26Ajo kishte hequr shumë nga mjekë të ndryshëm dhe kishte shpenzuar gjithçka që kishte, pa kurrfarë dobie, e sa vinte e përkeqësohej. 27Me të dëgjuar për Jezuin, ajo hyri mes turmës dhe i preku nga pas gunën. 28Ajo thoshte me vete: «Sikur t'ia prek vetëm rrobat, do të shpëtoj». 29Rrjedhja e gjakut iu ndërpre në çast e ajo ndjeu në trupin e saj se u shërua nga sëmundja. 30Jezui e ndjeu menjëherë forcën që doli prej tij dhe, si iu drejtua turmës, tha: «Kush m'i preku rrobat?». 31Dishepujt i thanë: «Ti e sheh turmën që të shtyn nga të gjitha anët e thua kush më preku?». 32Por ai shikonte rreth e rrotull për të parë atë që e kishte prekur. 33Atëherë gruaja, e frikësuar e duke u dridhur, ngaqë e dinte atë që i kishte ndodhur, erdhi, i ra ndër këmbë e i tha gjithë të vërtetën. 34Jezui i tha: «Bijë, besimi yt të shpëtoi. Shko në paqe e qofsh e shëruar nga sëmundja jote».
35Ndërsa po fliste, erdhën disa prej njerëzve të kryetarit të sinagogës e i thanë: «Jot bijë vdiq. Përse e shqetëson ende mësuesin?». 36Por Jezui, kur i dëgjoi këto fjalë, i tha kryetarit të sinagogës: «Mos ki frikë, vetëm beso!». 37Dhe nuk lejoi askënd që ta shoqëronte përveç Pjetrit, Jakobit e Gjonit, vëllait të Jakobit. 38Si arritën në shtëpinë e kryetarit të sinagogës, Jezui pa rrëmujë e njerëz që qanin e vajtonin me zë të lartë. 39Kur hyri, u tha: «Përse bërtisni e qani? Fëmija nuk ka vdekur, por po fle». 40Ata e përqeshën. Por ai i nxori të gjithë përjashta, mori me vete të atin e të ëmën e fëmijës dhe ata që e shoqëronin dhe hynë atje ku ishte fëmija. 41Ai e kapi fëmijën për dore e i tha: «Talitha kum» që përkthehet: «Vashëz, unë po të them: ngrihu!». 42Vajza e vogël u ngrit menjëherë e filloi të ecte. Ajo ishte dymbëdhjetë vjeç.
Atëherë u habitën pa masë. 43Jezui i urdhëroi rreptësisht që askush të mos e merrte vesh këtë gjë e u tha t'i jepnin të hante.

Aktualisht i përzgjedhur:

Marku 5: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr