Jezui kaloi përsëri me varkë në bregun tjetër dhe një turmë e madhe u mblodh rreth tij. Kur ishte në breg të liqenit, erdhi njëri prej kryetarëve të sinagogës me emrin Jair dhe sapo e pa Jezuin, i ra ndër këmbë e iu lut shumë, duke i thënë: «Vajza ime e vogël është në grahmat e fundit, prandaj eja, vëri duart mbi të, që të shpëtojë e të jetojë!». Jezui shkoi me të dhe një turmë e madhe, që shtyhej nga të gjitha anët, i shkoi pas.
Një grua kishte dymbëdhjetë vjet që vuante nga hemorragjia. Ajo kishte hequr shumë nga mjekë të ndryshëm dhe kishte shpenzuar gjithçka që kishte, pa kurrfarë dobie, e sa vinte e përkeqësohej. Me të dëgjuar për Jezuin, ajo hyri mes turmës dhe i preku nga pas gunën. Ajo thoshte me vete: «Sikur t'ia prek vetëm rrobat, do të shpëtoj». Rrjedhja e gjakut iu ndërpre në çast e ajo ndjeu në trupin e saj se u shërua nga sëmundja. Jezui e ndjeu menjëherë forcën që doli prej tij dhe, si iu drejtua turmës, tha: «Kush m'i preku rrobat?». Dishepujt i thanë: «Ti e sheh turmën që të shtyn nga të gjitha anët e thua kush më preku?». Por ai shikonte rreth e rrotull për të parë atë që e kishte prekur. Atëherë gruaja, e frikësuar e duke u dridhur, ngaqë e dinte atë që i kishte ndodhur, erdhi, i ra ndër këmbë e i tha gjithë të vërtetën. Jezui i tha: «Bijë, besimi yt të shpëtoi. Shko në paqe e qofsh e shëruar nga sëmundja jote».
Ndërsa po fliste, erdhën disa prej njerëzve të kryetarit të sinagogës e i thanë: «Jot bijë vdiq. Përse e shqetëson ende mësuesin?». Por Jezui, kur i dëgjoi këto fjalë, i tha kryetarit të sinagogës: «Mos ki frikë, vetëm beso!». Dhe nuk lejoi askënd që ta shoqëronte përveç Pjetrit, Jakobit e Gjonit, vëllait të Jakobit. Si arritën në shtëpinë e kryetarit të sinagogës, Jezui pa rrëmujë e njerëz që qanin e vajtonin me zë të lartë. Kur hyri, u tha: «Përse bërtisni e qani? Fëmija nuk ka vdekur, por po fle». Ata e përqeshën. Por ai i nxori të gjithë përjashta, mori me vete të atin e të ëmën e fëmijës dhe ata që e shoqëronin dhe hynë atje ku ishte fëmija. Ai e kapi fëmijën për dore e i tha: «Talitha kum» që përkthehet: «Vashëz, unë po të them: ngrihu!». Vajza e vogël u ngrit menjëherë e filloi të ecte. Ajo ishte dymbëdhjetë vjeç.
Atëherë u habitën pa masë. Jezui i urdhëroi rreptësisht që askush të mos e merrte vesh këtë gjë e u tha t'i jepnin të hante.