Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 5:21-43

Marku 5:21-43 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Jezui kaloi përsëri me varkë në bregun tjetër dhe një turmë e madhe u mblodh rreth tij. Kur ishte në breg të liqenit, erdhi njëri prej kryetarëve të sinagogës me emrin Jair dhe sapo e pa Jezuin, i ra ndër këmbë e iu lut shumë, duke i thënë: «Vajza ime e vogël është në grahmat e fundit, prandaj eja, vëri duart mbi të, që të shpëtojë e të jetojë!». Jezui shkoi me të dhe një turmë e madhe, që shtyhej nga të gjitha anët, i shkoi pas. Një grua kishte dymbëdhjetë vjet që vuante nga hemorragjia. Ajo kishte hequr shumë nga mjekë të ndryshëm dhe kishte shpenzuar gjithçka që kishte, pa kurrfarë dobie, e sa vinte e përkeqësohej. Me të dëgjuar për Jezuin, ajo hyri mes turmës dhe i preku nga pas gunën. Ajo thoshte me vete: «Sikur t'ia prek vetëm rrobat, do të shpëtoj». Rrjedhja e gjakut iu ndërpre në çast e ajo ndjeu në trupin e saj se u shërua nga sëmundja. Jezui e ndjeu menjëherë forcën që doli prej tij dhe, si iu drejtua turmës, tha: «Kush m'i preku rrobat?». Dishepujt i thanë: «Ti e sheh turmën që të shtyn nga të gjitha anët e thua kush më preku?». Por ai shikonte rreth e rrotull për të parë atë që e kishte prekur. Atëherë gruaja, e frikësuar e duke u dridhur, ngaqë e dinte atë që i kishte ndodhur, erdhi, i ra ndër këmbë e i tha gjithë të vërtetën. Jezui i tha: «Bijë, besimi yt të shpëtoi. Shko në paqe e qofsh e shëruar nga sëmundja jote». Ndërsa po fliste, erdhën disa prej njerëzve të kryetarit të sinagogës e i thanë: «Jot bijë vdiq. Përse e shqetëson ende mësuesin?». Por Jezui, kur i dëgjoi këto fjalë, i tha kryetarit të sinagogës: «Mos ki frikë, vetëm beso!». Dhe nuk lejoi askënd që ta shoqëronte përveç Pjetrit, Jakobit e Gjonit, vëllait të Jakobit. Si arritën në shtëpinë e kryetarit të sinagogës, Jezui pa rrëmujë e njerëz që qanin e vajtonin me zë të lartë. Kur hyri, u tha: «Përse bërtisni e qani? Fëmija nuk ka vdekur, por po fle». Ata e përqeshën. Por ai i nxori të gjithë përjashta, mori me vete të atin e të ëmën e fëmijës dhe ata që e shoqëronin dhe hynë atje ku ishte fëmija. Ai e kapi fëmijën për dore e i tha: «Talitha kum» që përkthehet: «Vashëz, unë po të them: ngrihu!». Vajza e vogël u ngrit menjëherë e filloi të ecte. Ajo ishte dymbëdhjetë vjeç. Atëherë u habitën pa masë. Jezui i urdhëroi rreptësisht që askush të mos e merrte vesh këtë gjë e u tha t'i jepnin të hante.

Marku 5:21-43 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Dhe kur Jezusi kaloj përsëri në bregun tjetër me barkë, një turmë e madhe u mblodh rreth tij; dhe ai qëndroj në breg të detit. Atëherë erdhi një nga krerët e sinagogës, me emër Jair, që, kur e pa, i ra ndër këmbë, dhe ju lut me të madhe duke thënë: ''Ime bijë është duke dhënë shpirt; eja, vëri duart mbi të që të shërohet dhe të jetojë!''. Dhe ai shkoi me të. Një turmë e madhe e ndiqte dhe shtyhej rreth tij. Tani një grua që kishte një fluks gjaku që prej dymbëdhjetë vjetësh dhe kishte vuajtur shumë nga ana e mjekëve të ndryshëm duke shpenzuar gjithë pasurinë e vet pa kurrfarë dobie, madje duke u bërë më keq, kur dëgjoi të flitej për Jezusin, u fut në turmë dhe pas shpinës preku rrobën e Jezusit, sepse thoshte: ''Nëse vetëm ia prek rrobën e tij, do të shërohem''. Dhe menjëherë rrjedha e gjakut iu ndal dhe ajo ndjeu në trupin e vet se u shërua nga ajo sëmundje. Por menjëherë Jezusi, duke e ndjerë në vete që një fuqi kishte dalë prej tij, u kthye midis turmës, tha: ''Kush m'i preku rrobat? Dhe dishepujt e vet i thanë: ''A nuk po e sheh që turma po të shtyhet nga të gjitha anët dhe ti thua: ''Kush më preku?''. Por ai vështronte rreth e qark për të parë atë që bëri këtë. Atëherë gruaja, plot frikë e duke u dridhur, duke ditur se ç'i kishte ndodhur, erdhi dhe i ra ndër këmbë dhe i tha gjithë të vërtetën. Dhe ai i tha: ''Bijë, besimi yt të shëroi; shko në paqe dhe ji e shëruar nga sëmundja jote!''. Ndërsa Jezusi ende po fliste, erdhën disa nga shtëpia e kryetarit të sinagogës duke thënë: ''Jote bijë ka vdekur; pse e bezdis akoma Mësuesin?''. Por Jezusi, sapo dëgjoi ç'u tha, i tha kryetarit të sinagogës: ''Mos ki frikë, vetëm ki besim!''. Dhe nuk lejoi që ta ndiqte kurrkush tjetër, përveç Pjetrit, Jakobit, dhe Gjonit, vëllait të Jakobit. Dhe mbasi arriti në shtëpinë e kryetarit të sinagogës, pa një rrëmujë të madhe dhe njerëz që qanin dhe ulërinin me të madhe. Hyri dhe u tha atyre: ''Pse bërtitni e qani? Vajza nuk ka vdekur, por fle''. Dhe ata e përqeshën, por ai, mbasi i nxori jashtë të gjithë, mori me vete atin dhe nënën e vajzës dhe ata që qenë me atë, dhe hyri atje ku dergjej vajza. E mori, pra, për dore vajzën dhe i tha: ''Talitha kumi'', që e përkthyer do të thotë: ''Vajzë, ty po të them: Çohu!''. Dhe menjëherë vajza u ngrit dhe filloi të ecë. Ajo ishte në fakt dymbëdhjetë vjeçe. Dhe ata u habitën me habi të madhe. Por ai urdhëroi rreptësisht që askush të mos e marrë vesh; pastaj urdhëroi që t'i japin vajzës të hajë.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë