Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 12

12
Shëmbëlltyra e vreshtit dhe e bujqve
(Mt 21.33-46; Lk 20.9-19)
1Pastaj Jezui filloi t'u fliste me shëmbëlltyra: «Një njeri mbolli një vresht, e thuri me gardh, hapi një gropë për të shtrydhur rrushin dhe ngriti një kullë. Vreshtin ua dha me qira disa vreshtarëve e u largua në një vend të huaj. 2Kur erdhi koha e të vjelave, dërgoi një shërbëtor te vreshtarët që të merrte pjesën e vet nga prodhimi i vreshtit. 3Vreshtarët e kapën, e rrahën dhe e kthyen duarzbrazët. 4Atëherë ai dërgoi edhe një shërbëtor tjetër, por ata e goditën në kokë dhe e poshtëruan. 5Dërgoi edhe një tjetër, por edhe këtë e vranë. Dërgoi edhe shumë të tjerë, por disa i rrahën e disa i vranë. 6I kishte mbetur vetëm një, biri i tij i dashur. Në fund e dërgoi tek ata, duke thënë: “Për tim bir do të kenë respekt”. 7Por vreshtarët i thanë njëri-tjetrit: “Ky është trashëgimtari. Ejani ta vrasim dhe trashëgimia do të na mbetet neve”. 8Atëherë e kapën, e vranë dhe e hodhën jashtë vreshtit.
9Ç'do të bëjë i zoti i vreshtit? Do të vijë, do t'i vrasë vreshtarët e do t'ua japë vreshtin të tjerëve. 10A nuk e keni lexuar këtë Shkrim:
guri që ndërtuesit e hodhën tej,
u bë guri i qoshes.
11 Kjo është vepra e Zotit
dhe është e mrekullueshme
në sytë tanë».
12Atëherë ata kërkonin ta kapnin, sepse e kuptuan se shëmbëlltyrën e kishte thënë kundër tyre, por kishin frikë nga turma, prandaj e lanë dhe ikën.
Taksa e Cezarit
(Mt 22.15-22; Lk 20.20-26)
13Pastaj dërguan te Jezui disa nga farisenjtë e disa nga herodianët për ta zënë në kurth për ndonjë fjalë. 14Kur erdhën, i thanë: «Mësues, e dimë se je i vërtetë dhe, pa pyetur për njeri e pa u ndikuar nga askush, u mëson të tjerëve me vërtetësi udhën e Perëndisë. A është e lejueshme t'i paguhen taksat Cezarit apo jo? Duhet t'ia paguajmë apo nuk duhet?». 15Por Jezui, duke e njohur hipokrizinë e tyre, u tha: «Përse më vini në provë? Më sillni një monedhë ta shoh!». 16Ata ia sollën. Atëherë ai u tha: «E kujt është kjo figurë e ky mbishkrim?». Ata i thanë: «Të Cezarit». 17Jezui u tha: «Jepini Cezarit ç'është e Cezarit dhe Perëndisë ç'është e Perëndisë». Ata u mrekulluan me të.
Ngjallja e të vdekurve
(Mt 22.23-33; Lk 20.27-40)
18Atëherë erdhën te Jezui disa saducenj. Këta thonë se nuk ka ngjallje, prandaj e pyetën: 19«Mësues, Moisiu na ka lënë të shkruar: nëse një njeriu i vdes vëllai dhe lë pas gruan, por nuk lë fëmijë, ky duhet të martohet me gruan e ve për t'i dhënë trashëgimtarë të vëllait. 20Na ishin shtatë vëllezër. I pari u martua dhe kur vdiq nuk la fëmijë. 21Me të venë u martua edhe i dyti, por edhe ky vdiq pa lënë fëmijë. Po kështu edhe i treti 22e që të shtatë nuk lanë fëmijë. Në fund vdiq edhe gruaja. 23Pas ngjalljes, gruaja e kujt do të jetë ajo, meqenëse të shtatë e patën për grua?». 24Jezui u tha: «Gaboheni, se nuk njihni as Shkrimet, as fuqinë e Perëndisë. 25Kur të ngjallen prej të vdekurve, njerëzit as nuk do të martohen, as nuk do të martojnë, por do të jenë si engjëjt në qiej. 26Sa për ngjalljen e të vdekurve, a nuk e keni lexuar në librin e Moisiut, në pjesën që flet për shkurren, sesi Perëndia i tha: unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut e Perëndia i Jakobit. 27Ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve. Gaboheni rëndë!».
Urdhërimi i madh
(Mt 22.34-40; Lk 10.25-28)
28Një shkrues, që i kishte dëgjuar tek diskutonin, kur pa se u ishte përgjigjur drejt, e pyeti: «Cili është urdhërimi më i rëndësishëm?». 29Jezui u përgjigj: «Urdhërimi më i rëndësishëm është: dëgjo Izrael! Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot 30dhe ti duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde. 31Ndërsa urdhërimi i dytë është: duaje të afërtin si veten! Nuk ka urdhërime më të mëdha se këto». 32Shkruesi i tha: «Mirë, mësues, ti ke të drejtë kur thua se ai është një dhe se nuk ka të tjerë përveç tij. 33Ta duash me gjithë zemër, me gjithë mendje,#12.33 dorëshk. të tjera edhe: me gjithë shpirt me gjithë forcë dhe të duash të afërtin si veten vlen më shumë se të gjitha shkrumbimet e kafshëve dhe flijimet». 34Kur pa se iu përgjigj me mend, Jezui i tha: «Ti nuk je larg nga mbretëria e Perëndisë». Dhe askush nuk pati guxim ta pyeste më.
Biri i Davidit
(Mt 22.41-46; Lk 20.41-44)
35Ndërsa po mësonte njerëzit në tempull, Jezui i pyeti: «E si mund të thonë shkruesit se Krishti është Biri i Davidit? 36Vetë Davidi ka thënë përmes Shpirtit të shenjtë:
i tha Zoti Zotit tim:
ulu në të djathtën time,
derisa t'i vë armiqtë e tu
nën këmbët e tua.
37Kur vetë Davidi e thërret Zot, si mund të jetë ai biri i tij?».
Turma e madhe e dëgjonte me ëndje.
Ndëshkimi për shkruesit
(Mt 23.1-36; Lk 20.45-47)
38Ndërsa i mësonte, u thoshte: «Ruhuni nga shkruesit që kënaqen kur mbajnë rroba të gjata, me qëllim që të tjerët t'i përshëndesin shesheve, 39që zënë vendet e para nëpër sinagoga e kryet e vendit nëpër festa, 40që përlajnë pasuritë#12.40 ose: shtëpitë e vejushave e luten gjatë për të rënë në sy. Këta do të marrin ndëshkim më të rëndë».
Dhurata e vejushës
(Lk 21.1-4)
41Si u ul përballë arkës së thesarit, Jezui shikonte turmën që hidhte monedha të vogla në thesar. Shumë të pasur hidhnin shumë para. 42Aty erdhi një vejushë e varfër dhe hodhi dy monedha bakri, domethënë një kuadrant. 43Jezui thirri dishepujt e u tha: «Me të vërtetë po ju them se kjo vejushë e varfër hodhi në arkën e thesarit më shumë se të gjithë të tjerët, 44sepse të gjithë dhanë nga tepricat e tyre, ndërsa ajo, në varfërinë e saj, dha gjithçka që kishte për të jetuar».

Aktualisht i përzgjedhur:

Marku 12: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë