Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 12:1-27

Marku 12:1-27 AL1

Pastaj Jezui filloi t'u fliste me shëmbëlltyra: «Një njeri mbolli një vresht, e thuri me gardh, hapi një gropë për të shtrydhur rrushin dhe ngriti një kullë. Vreshtin ua dha me qira disa vreshtarëve e u largua në një vend të huaj. Kur erdhi koha e të vjelave, dërgoi një shërbëtor te vreshtarët që të merrte pjesën e vet nga prodhimi i vreshtit. Vreshtarët e kapën, e rrahën dhe e kthyen duarzbrazët. Atëherë ai dërgoi edhe një shërbëtor tjetër, por ata e goditën në kokë dhe e poshtëruan. Dërgoi edhe një tjetër, por edhe këtë e vranë. Dërgoi edhe shumë të tjerë, por disa i rrahën e disa i vranë. I kishte mbetur vetëm një, biri i tij i dashur. Në fund e dërgoi tek ata, duke thënë: “Për tim bir do të kenë respekt”. Por vreshtarët i thanë njëri-tjetrit: “Ky është trashëgimtari. Ejani ta vrasim dhe trashëgimia do të na mbetet neve”. Atëherë e kapën, e vranë dhe e hodhën jashtë vreshtit. Ç'do të bëjë i zoti i vreshtit? Do të vijë, do t'i vrasë vreshtarët e do t'ua japë vreshtin të tjerëve. A nuk e keni lexuar këtë Shkrim: guri që ndërtuesit e hodhën tej, u bë guri i qoshes. Kjo është vepra e Zotit dhe është e mrekullueshme në sytë tanë ». Atëherë ata kërkonin ta kapnin, sepse e kuptuan se shëmbëlltyrën e kishte thënë kundër tyre, por kishin frikë nga turma, prandaj e lanë dhe ikën. Pastaj dërguan te Jezui disa nga farisenjtë e disa nga herodianët për ta zënë në kurth për ndonjë fjalë. Kur erdhën, i thanë: «Mësues, e dimë se je i vërtetë dhe, pa pyetur për njeri e pa u ndikuar nga askush, u mëson të tjerëve me vërtetësi udhën e Perëndisë. A është e lejueshme t'i paguhen taksat Cezarit apo jo? Duhet t'ia paguajmë apo nuk duhet?». Por Jezui, duke e njohur hipokrizinë e tyre, u tha: «Përse më vini në provë? Më sillni një monedhë ta shoh!». Ata ia sollën. Atëherë ai u tha: «E kujt është kjo figurë e ky mbishkrim?». Ata i thanë: «Të Cezarit». Jezui u tha: «Jepini Cezarit ç'është e Cezarit dhe Perëndisë ç'është e Perëndisë». Ata u mrekulluan me të. Atëherë erdhën te Jezui disa saducenj. Këta thonë se nuk ka ngjallje, prandaj e pyetën: «Mësues, Moisiu na ka lënë të shkruar: nëse një njeriu i vdes vëllai dhe lë pas gruan, por nuk lë fëmijë, ky duhet të martohet me gruan e ve për t'i dhënë trashëgimtarë të vëllait. Na ishin shtatë vëllezër. I pari u martua dhe kur vdiq nuk la fëmijë. Me të venë u martua edhe i dyti, por edhe ky vdiq pa lënë fëmijë. Po kështu edhe i treti e që të shtatë nuk lanë fëmijë. Në fund vdiq edhe gruaja. Pas ngjalljes, gruaja e kujt do të jetë ajo, meqenëse të shtatë e patën për grua?». Jezui u tha: «Gaboheni, se nuk njihni as Shkrimet, as fuqinë e Perëndisë. Kur të ngjallen prej të vdekurve, njerëzit as nuk do të martohen, as nuk do të martojnë, por do të jenë si engjëjt në qiej. Sa për ngjalljen e të vdekurve, a nuk e keni lexuar në librin e Moisiut, në pjesën që flet për shkurren, sesi Perëndia i tha: unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut e Perëndia i Jakobit. Ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve. Gaboheni rëndë!».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë