Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 1:1-20

Marku 1:1-20 AL1

Fillimi i ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë. Ndodhi sikurse është shkruar te profeti Isai: ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim përpara teje, që të përgatisë udhën tënde. Ai është zëri që thërret në shkretëtirë: bëni gati udhën për Zotin, drejtoni shtigjet e tij. Gjon Pagëzori doli në shkretëtirë dhe u predikonte njerëzve të pendoheshin e të pagëzoheshin, që t'u faleshin mëkatet. Njerëz nga e gjithë krahina e Judesë dhe të gjithë banorët e Jerusalemit shkonin tek ai e pagëzoheshin prej tij në lumin Jordan, duke rrëfyer haptazi mëkatet e tyre. Gjoni ishte i veshur me një rrobë prej leshi deveje, mbante një brez lëkure rreth ijëve e hante karkaleca e mjaltë të egër. Ai predikonte e thoshte: «Pas meje vjen ai që është më i fortë se unë, të cilit nuk jam i denjë të ulem as për t'i zgjidhur lidhëset e sandaleve. Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t'ju pagëzojë me Shpirtin e shenjtë». Gjatë atyre ditëve Jezui erdhi nga Nazareti i Galilesë dhe u pagëzua prej Gjonit në Jordan. Menjëherë, ndërsa po dilte nga uji, pa qiejt që po hapeshin dhe Shpirtin si një pëllumb duke zbritur mbi të. Atëherë u dëgjua një zë nga qielli: «Ti je Biri im i dashur. Me ty jam i kënaqur». Menjëherë Shpirti e çoi Jezuin në shkretëtirë. Ai qëndroi në shkretëtirë dyzet ditë, i tunduar nga Satani. Rrinte me egërsira dhe engjëjt i shërbenin. Pasi e kapën Gjonin, Jezui shkoi në Galile, ku predikonte ungjillin e Perëndisë e thoshte: «Erdhi koha, mbretëria e Perëndisë është afër; pendohuni e besoni në ungjill». Ndërsa kalonte bregut të liqenit të Galilesë, Jezui pa Simonin e Andrean, vëllanë e Simonit, që po hidhnin rrjetat në liqen. Ata ishin peshkatarë. Jezui u tha: «Ejani pas meje e unë do t'ju bëj peshkatarë njerëzish». Ata lanë menjëherë rrjetat e shkuan pas tij. Pak më tutje Jezui pa Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, të vëllanë, që ishin në varkë duke arnuar rrjetat dhe i thirri menjëherë. Ata lanë në varkë Zebedeun, atin e tyre, bashkë me shërbëtorët e shkuan pas tij.

Devocione dhe Plane Leximi falas për Marku 1:1-20

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë