Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 1:1-20

Marku 1:1-20 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Fillimi i ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë. Ndodhi sikurse është shkruar te profeti Isai: ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim përpara teje, që të përgatisë udhën tënde. Ai është zëri që thërret në shkretëtirë: bëni gati udhën për Zotin, drejtoni shtigjet e tij. Gjon Pagëzori doli në shkretëtirë dhe u predikonte njerëzve të pendoheshin e të pagëzoheshin, që t'u faleshin mëkatet. Njerëz nga e gjithë krahina e Judesë dhe të gjithë banorët e Jerusalemit shkonin tek ai e pagëzoheshin prej tij në lumin Jordan, duke rrëfyer haptazi mëkatet e tyre. Gjoni ishte i veshur me një rrobë prej leshi deveje, mbante një brez lëkure rreth ijëve e hante karkaleca e mjaltë të egër. Ai predikonte e thoshte: «Pas meje vjen ai që është më i fortë se unë, të cilit nuk jam i denjë të ulem as për t'i zgjidhur lidhëset e sandaleve. Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t'ju pagëzojë me Shpirtin e shenjtë». Gjatë atyre ditëve Jezui erdhi nga Nazareti i Galilesë dhe u pagëzua prej Gjonit në Jordan. Menjëherë, ndërsa po dilte nga uji, pa qiejt që po hapeshin dhe Shpirtin si një pëllumb duke zbritur mbi të. Atëherë u dëgjua një zë nga qielli: «Ti je Biri im i dashur. Me ty jam i kënaqur». Menjëherë Shpirti e çoi Jezuin në shkretëtirë. Ai qëndroi në shkretëtirë dyzet ditë, i tunduar nga Satani. Rrinte me egërsira dhe engjëjt i shërbenin. Pasi e kapën Gjonin, Jezui shkoi në Galile, ku predikonte ungjillin e Perëndisë e thoshte: «Erdhi koha, mbretëria e Perëndisë është afër; pendohuni e besoni në ungjill». Ndërsa kalonte bregut të liqenit të Galilesë, Jezui pa Simonin e Andrean, vëllanë e Simonit, që po hidhnin rrjetat në liqen. Ata ishin peshkatarë. Jezui u tha: «Ejani pas meje e unë do t'ju bëj peshkatarë njerëzish». Ata lanë menjëherë rrjetat e shkuan pas tij. Pak më tutje Jezui pa Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, të vëllanë, që ishin në varkë duke arnuar rrjetat dhe i thirri menjëherë. Ata lanë në varkë Zebedeun, atin e tyre, bashkë me shërbëtorët e shkuan pas tij.

Marku 1:1-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Fillimi i Ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë. Ashtu si është shkruar tek profetët: ''Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim para fytyrës tënde, i cili do të përgatit udhën tënde përpara teje. Ka një zë që bërtet në shkretëtirë: "Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij"''. Gjoni erdhi në shkretëtirë duke pagëzuar dhe duke predikuar një pagëzim pendese për faljen e mëkateve. Dhe gjithë vendi i Judës dhe ata nga Jeruzalemi shkonin tek ai, dhe pagëzoheshin të gjithë nga ai në lumin Jordan, duke rrëfyer mëkatet e tyre. Por Gjoni ishte i veshur me lesh deveje, mbante një brez lëkure përreth ijëve dhe ushqehej me karkaleca dhe me mjaltë të egër. Ai predikonte duke thënë: ''Pas meje po vjen një që është më i fortë se unë. Unë nuk jam i denjë as të ulem para tij për t'i zgjidhur rripat e sandaleve të tij. Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t'ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë''. Dhe ndodhi në ato ditë që Jezusi erdhi nga Nazareti i Galilesë dhe u pagëzua nga Gjoni në Jordan. Dhe menjëherë, kur po dilte nga uji, pa se qiejt po hapeshin dhe Fryma po zbriste mbi të si një pëllumb. Dhe një zë erdhi nga qielli: ''Ti je Biri im i dashur në të cilin jam kënaqur. Fill pas kësaj, Fryma e Shenjtë e çoi në shkretëtirë; dhe qëndroi në shkretëtirë dyzet ditë, i tunduar nga Satani. Ishte bashkë me bishat dhe engjëjt i shërbenin. Dhe mbasi e burgosën Gjonin, Jezusi erdhi në Galile duke predikuar ungjillin e mbretërisë së Perëndisë, dhe duke thënë: ''U mbush koha dhe mbretëria e Perëndisë është afër. Pendohuni dhe besoni ungjillin''. Ndërsa po kalonte gjatë bregut të detit të Galilesë, ai pa Simonin dhe Andrean, vëllanë e tij, të cilët po hidhnin rrjetën në det sepse ishin peshkatarë. Dhe Jezusi u tha atyre: ''Ndiqmëni dhe unë do t'ju bëj peshkatarë njerëzish''. Dhe ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën. Mbasi eci edhe pak, pa Jakobin, bir in e Zebedeut dhe Gjonin, vëllanë e tij, të cilët ndreqnin rrjetat e tyre në barkë. Dhe i thirri menjëherë; dhe ata e lanë atin e tyre Zebedeun në barkë me mëditësit dhe e ndoqën.