Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 6:5-18

Mateu 6:5-18 AL1

«Kur të luteni, mos u bëni si hipokritët, të cilëve u pëlqen të luten më këmbë nëpër sinagoga e udhëkryqe, për t'u dukur para njerëzve. Me të vërtetë po ju them se ata e kanë marrë shpërblimin e tyre. Por kur ti të lutesh, hyr në dhomën tënde, mbylle derën e lutju Atit tënd që është aty në fshehtësi, e Ati yt që sheh në fshehtësi do të ta shpërblejë. Kur të luteni, mos thoni fjalë të shumta si popujt e kombeve. Ata mendojnë se duke folur shumë, do të dëgjohen. Mos bëni si ata, se Ati juaj e di mirë për çfarë keni nevojë përpara se t'ia kërkoni. Prandaj ju lutuni kështu: Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë. Bukën tonë të përditshme na e jep sot. Na i fal detyrimet tona, siç edhe ne ua falëm detyronjësve tanë. E mos na vër në sprovë, por na çliro nga i ligu. Nëse ua falni njerëzve paudhësitë, atëherë edhe Ati juaj qiellor do t'jua falë juve, por nëse ju nuk do t'ua falni njerëzve paudhësitë, atëherë as Ati juaj nuk do t'jua falë juve ato». «Kur të agjëroni, mos merrni hije të rëndë, siç bëjnë hipokritët. Ata e shtrembërojnë fytyrën për t'u treguar njerëzve se po agjërojnë. Me të vërtetë po ju them se ata e kanë marrë shpërblimin e tyre. Ndërsa ti, kur të agjërosh, lyeje kokën me erë të mirë e laje fytyrën, që agjërimi yt të mos duket para njerëzve, por të duket para Atit tënd që është në fshehtësi. E Ati yt, që sheh në fshehtësi, do të ta shpërblejë».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë