Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 6:5-18

Mateu 6:5-18 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

«Kur të luteni, mos u bëni si hipokritët, të cilëve u pëlqen të luten më këmbë nëpër sinagoga e udhëkryqe, për t'u dukur para njerëzve. Me të vërtetë po ju them se ata e kanë marrë shpërblimin e tyre. Por kur ti të lutesh, hyr në dhomën tënde, mbylle derën e lutju Atit tënd që është aty në fshehtësi, e Ati yt që sheh në fshehtësi do të ta shpërblejë. Kur të luteni, mos thoni fjalë të shumta si popujt e kombeve. Ata mendojnë se duke folur shumë, do të dëgjohen. Mos bëni si ata, se Ati juaj e di mirë për çfarë keni nevojë përpara se t'ia kërkoni. Prandaj ju lutuni kështu: Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë. Bukën tonë të përditshme na e jep sot. Na i fal detyrimet tona, siç edhe ne ua falëm detyronjësve tanë. E mos na vër në sprovë, por na çliro nga i ligu. Nëse ua falni njerëzve paudhësitë, atëherë edhe Ati juaj qiellor do t'jua falë juve, por nëse ju nuk do t'ua falni njerëzve paudhësitë, atëherë as Ati juaj nuk do t'jua falë juve ato». «Kur të agjëroni, mos merrni hije të rëndë, siç bëjnë hipokritët. Ata e shtrembërojnë fytyrën për t'u treguar njerëzve se po agjërojnë. Me të vërtetë po ju them se ata e kanë marrë shpërblimin e tyre. Ndërsa ti, kur të agjërosh, lyeje kokën me erë të mirë e laje fytyrën, që agjërimi yt të mos duket para njerëzve, por të duket para Atit tënd që është në fshehtësi. E Ati yt, që sheh në fshehtësi, do të ta shpërblejë».

Mateu 6:5-18 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Dhe kur ti lutesh, mos u bëj si hipokritët, sepse atyre u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshet e rrugëve, në mënyrë që njerëzit t'i shohin; në të vërtetë ju them se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre. Por ti, kur lutesh, futu në dhomëzën tënde, mbylle derën dhe lutju Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë publikisht. Por kur ju luteni, mos përdorni përsëritje të kota siç bëjnë paganët, sepse ata mendojnë se do t'u plotësohet lutja se kanë përdorur shumë fjalë. Mos u bëni, pra, si ata, sepse Ati juaj i di gjërat për të cilat keni nevojë, para se ju t'i kërkoni. Ju, pra, lutuni kështu: "Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell. Bukën tonë të përditshme na e jep sot. Dhe na i fal fajet tona, ashtu siç ua falim ne fajtorëve tanë. Dhe mos lejo të biem në tundim, por na çliro nga i ligu, sepse jotja është mbretëria dhe fuqia dhe lavdia përjetë. Amen". Sepse në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, Ati juaj qiellor do t'jua falë edhe juve; por në qoftë se ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj nuk do t'ua falë juve gabimet tuaja. Dhe kur të agjëroni, mos u tregoni të pikëlluar si hipokritët; sepse ata shfytyrohen për t'u treguar njerëzve se agjërojnë; në të vërtetë ju them se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre. Kurse ti, kur të agjërosh, vajose kokën dhe laje fytyrën, me qëllim që të mos u tregosh njerëzve se ti agjëron, por Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, i cili shikon në fshehtësi, do ta japë shpërblimin publikisht.

Mateu 6:5-18

Mateu 6:5-18 ALBB

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë