Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 28:5-20

Mateu 28:5-20 AL1

Engjëlli foli e u tha grave: «Mos kini frikë! E di se po kërkoni Jezuin, të kryqëzuarin. Nuk është këtu, se ai u ngjall siç pati thënë. Ejani e shihni vendin ku qe vënë. Shkoni shpejt e u thoni dishepujve të tij se ai u ngjall prej të vdekurve dhe se do të shkojë përpara jush në Galile. Atje do ta shihni. Këto kisha për t'ju thënë». Ato u larguan me të shpejtë nga varri dhe plot frikë e gëzim të madh vrapuan për të lajmëruar dishepujt. Dhe ja, Jezui u doli përpara e u tha: «Ju përshëndes!». Ato iu afruan, i rrokën këmbët dhe e adhuruan. Atëherë Jezui u tha: «Mos kini frikë! Shkoni e u thoni vëllezërve të mi të shkojnë në Galile. Atje do të më shohin». Ndërsa gratë ishin rrugës, disa roja shkuan në qytet e u treguan kryepriftërinjve gjithçka që kishte ndodhur. Kryepriftërinjtë e pleqtë u mblodhën e pasi ranë në një mendje, u dhanë ushtarëve një shumë të madhe parash e u thanë: «Ju duhet të thoni se dishepujt e tij erdhën gjatë natës kur ju po flinit dhe e vodhën trupin e tij. Po ta marrë vesh qeveritari, do ta bindim ne e nuk do të lejojmë që ju të ndëshkoheni». Ata morën paratë e bënë siç i mësuan. Kështu këto fjalë janë përhapur ndër judenjtë deri në ditët e sotme. Të njëmbëdhjetë dishepujt shkuan në Galile, në malin që u kishte thënë Jezui. Kur e panë Jezuin, e adhuruan, por disa prej tyre dyshuan. Jezui iu afrua e u tha: «Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë, prandaj shkoni e mësojini të gjitha kombet dhe pagëzojini në emër të Atit, të Birit e të Shpirtit të shenjtë. Mësojini të zbatojnë gjithë sa ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju të gjitha ditët, deri në mbarim të botës».