Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 28:5-20

Mateu 28:5-20 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Engjëlli foli e u tha grave: «Mos kini frikë! E di se po kërkoni Jezuin, të kryqëzuarin. Nuk është këtu, se ai u ngjall siç pati thënë. Ejani e shihni vendin ku qe vënë. Shkoni shpejt e u thoni dishepujve të tij se ai u ngjall prej të vdekurve dhe se do të shkojë përpara jush në Galile. Atje do ta shihni. Këto kisha për t'ju thënë». Ato u larguan me të shpejtë nga varri dhe plot frikë e gëzim të madh vrapuan për të lajmëruar dishepujt. Dhe ja, Jezui u doli përpara e u tha: «Ju përshëndes!». Ato iu afruan, i rrokën këmbët dhe e adhuruan. Atëherë Jezui u tha: «Mos kini frikë! Shkoni e u thoni vëllezërve të mi të shkojnë në Galile. Atje do të më shohin». Ndërsa gratë ishin rrugës, disa roja shkuan në qytet e u treguan kryepriftërinjve gjithçka që kishte ndodhur. Kryepriftërinjtë e pleqtë u mblodhën e pasi ranë në një mendje, u dhanë ushtarëve një shumë të madhe parash e u thanë: «Ju duhet të thoni se dishepujt e tij erdhën gjatë natës kur ju po flinit dhe e vodhën trupin e tij. Po ta marrë vesh qeveritari, do ta bindim ne e nuk do të lejojmë që ju të ndëshkoheni». Ata morën paratë e bënë siç i mësuan. Kështu këto fjalë janë përhapur ndër judenjtë deri në ditët e sotme. Të njëmbëdhjetë dishepujt shkuan në Galile, në malin që u kishte thënë Jezui. Kur e panë Jezuin, e adhuruan, por disa prej tyre dyshuan. Jezui iu afrua e u tha: «Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë, prandaj shkoni e mësojini të gjitha kombet dhe pagëzojini në emër të Atit, të Birit e të Shpirtit të shenjtë. Mësojini të zbatojnë gjithë sa ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju të gjitha ditët, deri në mbarim të botës».

Mateu 28:5-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

por engjëlli, duke iu drejtuar grave, u tha atyre: ''Mos kini frikë, sepse unë e di se ju kërkoni Jezusin, që u kryqëzua. Ai nuk është këtu, sepse u ringjall, sikurse kishte thënë; ejani, shikoni vendin ku qe vënë Zoti. Shkoni shpejt t'u thoni dishepujve të tij se ai u ringjall së vdekuri; dhe ja, po shkon përpara jush në Galile; atje do ta shihni; ja, jua thashë''. Ato, pra, u larguan me të shpejtë nga varri me frikë dhe me gëzim të madh; dhe rendën ta çojnë lajmin te dishepujt e tij. Dhe, ndërsa po shkonin për t'u thënë dishepujve, ja Jezusi u doli përpara dhe tha: ''Tungjatjeta!''. Atëherë ato u afruan, i rrokën këmbët dhe e adhuruan. Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Mos kini frikë, shkoni të lajmëroni vëllezërit e mi që të shkojnë në Galile dhe atje do të më shohin''. Ndërsa ato po shkonin, ja që disa nga rojtarët arritën në qytet dhe u raportuan krerëve të priftërinjve të gjitha ato që kishin ndodhur. Atëherë këta bënë këshill me pleqtë dhe vendosën t'u japin ushtarëve një shumë të madhe denarësh, duke u thënë atyre: ''Thoni: Dishepujt e tij erdhën natën dhe e vodhën, ndërsa ne po flinim. Dhe në qoftë se kjo i shkon në vesh guvernatorit, ne do ta bindim dhe do të bëjmë në mënyrë që ju të mos kini merak''. Dhe ata i morën denarët dhe bënë ashtu si i kishin mësuar, dhe kjo e thënë u përhap ndër judenjtë deri ditën e sotme. Pastaj të njëmbëdhjetë dishepujt shkuan në Galile, në atë mal që u kishte caktuar Jezusi dhe, kur e panë, e adhuruan; por disa dyshuan. Pastaj Jezusi u afrua dhe u foli atyre duke thënë: ''Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen''.

Mateu 28:5-20

Mateu 28:5-20 ALBBMateu 28:5-20 ALBB