Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 26:57-75

Mateu 26:57-75 AL1

Pastaj, ata që e kishin kapur e çuan Jezuin te kryeprifti Kajafa ku ishin mbledhur shkruesit e pleqtë. Pjetri e ndoqi Jezuin nga larg deri tek oborri i pallatit të kryepriftit dhe pasi u fut brenda, u ul mes shërbëtorëve për të parë si do të mbaronte kjo gjë. Kryepriftërinjtë dhe gjithë sinedri kërkonin dëshmi të rreme kundër Jezuit për ta dënuar me vdekje, por nuk gjetën asnjë, edhe pse u paraqitën shumë dëshmitarë të rremë. Në fund dolën dy veta e thanë: «Ky njeri ka thënë: “Unë mund ta shkatërroj tempullin e Perëndisë e ta ndërtoj për tri ditë”». Atëherë kryeprifti u ngrit e tha: «Nuk ke asgjë për të thënë për çka po dëshmojnë kundër teje?». Jezui heshti. Kryeprifti i tha: «Të përbej për Perëndinë e gjallë, na thuaj a je ti Krishti, Biri i Perëndisë?». Jezui i tha: «Ti vetë po e thua. Por unë po ju them se që tani e tutje do ta shihni Birin e njeriut të ulur në të djathtën e Perëndisë së pushtetshëm, duke ardhur mbi retë e qiellit ». Atëherë kryeprifti shqeu rrobat e tha: «Fyeu Perëndinë! Ç'na duhen më dëshmitarët? Ju e dëgjuat tani fyerjen që i bëri Perëndisë. Çfarë mendoni?». Ata iu përgjigjën: «Meriton vdekjen». Atëherë filluan ta pështynin në fytyrë e ta godisnin me grushte. Disa i binin me shuplaka e i thoshin: «Gjeje kush të goditi, o Krisht?». Pjetri rrinte ulur përjashta në oborr. Një shërbëtore erdhi tek ai e i tha: «Edhe ti ishe me Jezu Galileasin». Por Pjetri e mohoi para të gjithëve e tha: «Nuk e di ç'po thua!». Kur po dilte nga porta, atë e pa një shërbëtore tjetër e u tha atyre që ishin aty: «Ky njeri ishte me Jezuin e Nazaretit». Por Pjetri e mohoi përsëri duke u betuar: «Unë nuk e njoh këtë njeri». Pas pak, ata që ishin aty iu afruan Pjetrit e i thanë: «Patjetër je një prej tyre se dukesh nga e folmja». Pastaj Pjetri filloi të mallkonte e të bënte be: «Nuk e njoh këtë njeri». Atë çast këndoi gjeli dhe Pjetrit iu kujtuan fjalët e Jezuit: «Përpara se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë». Pastaj doli përjashta e qau me hidhërim.