Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 26:20-56

Mateu 26:20-56 AL1

Në mbrëmje Jezui u ul në tryezë me të dymbëdhjetët e ndërsa po hanin, tha: «Me të vërtetë po ju them se njëri nga ju do të më tradhtojë». Ata u trishtuan shumë e filluan ta pyesnin njëri pas tjetrit: «Mos jam unë, o Zot?». Ai u përgjigj: «Ai që ngjeu kafshatën në të njëjtën pjatë me mua, ai do të më tradhtojë. Biri i njeriut po shkon, sikurse është shkruar për të, por mjerë ai njeri që tradhton Birin e njeriut! Për atë njeri do të kishte qenë më mirë të mos kishte lindur». Juda që e kishte tradhtuar, tha: «Mos jam unë, mësues?». Jezui i tha: «Ti vetë po e thua». Ndërsa po hanin, Jezui mori bukën, tha lutjen e bekimit, e theu, ua dha dishepujve e tha: «Merrni, hani, ky është trupi im». Mori edhe kupën e pasi tha lutjen e falënderimit, ua dha atyre e tha: «Pini të gjithë prej kësaj. Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes që derdhet për shumë njerëz për faljen e mëkateve. Unë po ju them se nuk do të pi më nga ky fryt i hardhisë, deri ditën që do ta pi të re së bashku me ju në mbretërinë e Atit tim». Si kënduan himne, shkuan në malin e Ullinjve. Pastaj Jezui u tha: «Në këtë natë unë do t'u bëhem pengesë të gjithëve ju, sepse është shkruar: do të godas bariun dhe delet e tufës do të shpërndahen. Por kur të ngjallem, do të shkoj përpara jush në Galile». Pjetri i tha: «Edhe nëse të gjithë do të bien, unë nuk do të bie kurrë». Jezui i tha: «Me të vërtetë po të them se po këtë natë, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë». Pjetri i tha: «Edhe nëse duhet të vdes me ty, nuk do të të mohoj». Kështu thanë të gjithë dishepujt. Pastaj Jezui shkoi bashkë me dishepujt në një vend që quhet Gjetsemani e u tha: «Rrini këtu, se unë po shkoj më tej për t'u lutur». Ai mori me vete Pjetrin dhe dy bijtë e Zebedeut e filloi të ndiente trishtim e ankth. Atëherë u tha: «Shpirti im është i trishtuar deri në vdekje. Qëndroni këtu e rrini zgjuar me mua». Pasi shkoi pak më tej, ra me fytyrë përdhe e u lut: «Ati im, po të jetë e mundur, largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë u bëftë jo si dua unë, por si do ti». Pastaj Jezui erdhi te dishepujt dhe i gjeti duke fjetur. Atëherë i tha Pjetrit: «Nuk mundët të rrinit zgjuar me mua as edhe një orë? Rrini zgjuar e lutuni që të mos bini në tundim, se shpirti është i gatshëm, por trupi është i dobët». Jezui shkoi për të dytën herë e u lut: «Ati im, nëse kjo kupë nuk mund të hiqet pa e pirë unë, atëherë u bëftë vullneti yt!». Kur u kthye, i gjeti përsëri duke fjetur, se u ishin rënduar sytë. Pasi u largua përsëri, shkoi e u lut për të tretën herë me të njëjtat fjalë. Pastaj erdhi te dishepujt e u tha: «Ende po flini e po pushoni? Ja, erdhi ora dhe Biri i njeriut po dorëzohet në duart e mëkatarëve. Ngrihuni të shkojmë. Ja, po afrohet ai që po më tradhton». Ndërsa Jezui ishte ende duke folur, erdhi Juda, njëri prej të dymbëdhjetëve, bashkë me një turmë të madhe, me shpata e shkopinj, të dërguar nga kryepriftërinjtë e pleqtë e popullit. Tradhtari u kishte dhënë këtë shenjë: «Jezui është ai që unë do të puth. Atë kapni!». Dhe menjëherë iu afrua Jezuit e i tha: «Të përshëndes, mësues!» dhe e puthi. Jezui i tha: «Mik, bëj atë që ke ardhur të bësh!». Ata erdhën, e kapën Jezuin dhe e ndalën. Dhe ja, njëri nga ata që ishin me Jezuin nxori shpatën, goditi shërbëtorin e kryepriftit e i preu veshin. Atëherë Jezui i tha: «Ktheje shpatën ku e kishe, se të gjithë ata që rrokin shpatën, nga shpata do të vdesin. A mendoni se nuk mund t'i lutem Atit tim të më dërgojë menjëherë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh? Por si do të përmbusheshin Shkrimet që thonë se duhet të ndodhë kështu?». Atëherë Jezui u tha turmave: «Paskeni ardhur të më merrni me shpata e shkopinj si të isha kusar? Unë isha çdo ditë në tempull duke mësuar njerëzit e nuk më kapët. Por të gjitha këto ndodhën që të përmbushen shkrimet e profetëve». Atëherë të gjithë dishepujt e braktisën e ikën.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë