Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 22:1-14

Mateu 22:1-14 AL1

Jezui filloi t'u fliste përsëri me shëmbëlltyra: «Mbretëria e qiejve i ngjan mbretit që bëri dasmë për të birin. Ai dërgoi shërbëtorët e vet për të thirrur ata që ishin ftuar në dasmë, por këta nuk donin të vinin. Përsëri dërgoi shërbëtorë të tjerë e u tha: “U thoni të ftuarve se gostia është gati. Demat e bagëtitë e majme i kam therur dhe gjithçka është përgatitur. Ejani në dasmë”. Por këta nuk u vunë vesh e shkuan kush në arën e vet e kush për punët e veta, ndërsa të ftuarit e tjerë i kapën shërbëtorët, i rrahën dhe i vranë. Mbreti u zemërua dhe dërgoi ushtarët e vet, që i vranë ata vrasës dhe i vunë zjarrin qytetit të tyre. Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: “Dasma është gati, por të ftuarit nuk ishin të denjë, prandaj dilni nëpër udhëkryqe e ftoni në dasmë këdo që të gjeni”. Shërbëtorët dolën nëpër rrugë dhe mblodhën të gjithë ata që gjetën, të këqij e të mirë. Kështu dhoma e dasmës u mbush plot. Por, kur hyri për të parë të ftuarit, mbreti pa një njeri që nuk ishte i veshur si për dasmë e i tha: “Mik, si ke hyrë këtu pa rrobën e dasmës?”. Ai nuk e hapi gojën. Pastaj mbreti u tha shërbëtorëve: “Lidheni këmbë e duar e hidheni përjashta në errësirë. Atje do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh”. Shumë janë të thirrur, por pak të zgjedhur».