Mateu 22:1-14
Mateu 22:1-14 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Jezui filloi t'u fliste përsëri me shëmbëlltyra: «Mbretëria e qiejve i ngjan mbretit që bëri dasmë për të birin. Ai dërgoi shërbëtorët e vet për të thirrur ata që ishin ftuar në dasmë, por këta nuk donin të vinin. Përsëri dërgoi shërbëtorë të tjerë e u tha: “U thoni të ftuarve se gostia është gati. Demat e bagëtitë e majme i kam therur dhe gjithçka është përgatitur. Ejani në dasmë”. Por këta nuk u vunë vesh e shkuan kush në arën e vet e kush për punët e veta, ndërsa të ftuarit e tjerë i kapën shërbëtorët, i rrahën dhe i vranë. Mbreti u zemërua dhe dërgoi ushtarët e vet, që i vranë ata vrasës dhe i vunë zjarrin qytetit të tyre. Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: “Dasma është gati, por të ftuarit nuk ishin të denjë, prandaj dilni nëpër udhëkryqe e ftoni në dasmë këdo që të gjeni”. Shërbëtorët dolën nëpër rrugë dhe mblodhën të gjithë ata që gjetën, të këqij e të mirë. Kështu dhoma e dasmës u mbush plot. Por, kur hyri për të parë të ftuarit, mbreti pa një njeri që nuk ishte i veshur si për dasmë e i tha: “Mik, si ke hyrë këtu pa rrobën e dasmës?”. Ai nuk e hapi gojën. Pastaj mbreti u tha shërbëtorëve: “Lidheni këmbë e duar e hidheni përjashta në errësirë. Atje do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh”. Shumë janë të thirrur, por pak të zgjedhur».
Mateu 22:1-14 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe Jezusi, nisi përsëri t'u flasë atyre me shëmbëlltyra, duke thënë: ''Mbretëria e qiejve i ngjan një mbreti, i cili përgatiti dasmën e të birit. Dhe dërgoi shërbëtorët e vet për të thirrur të ftuarit në dasmë, por ata nuk deshën të vijnë. Dërgoi përsëri shërbëtorë të tjerë duke thënë: "U thoni të ftuarve: Ja unë e kam shtruar drekën time, viçat e mi dhe bagëtia ime e majmur janë therur dhe gjithçka është gati; ejani në dasmë". Por ata, pa e përfillur, shkuan: dikush në arën e vet e dikush në punët e veta. Dhe të tjerët, mbasi kapën shërbëtorët e tij, i shanë dhe i vranë. Mbreti atëherë, kur dëgjoi këtë, u zemërua dhe dërgoi ushtritë e veta për të shfarosur ata gjakësorë dhe dogji qytetin e tyre. Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: "Dasma është gati, por të ftuarit nuk ishin të denjë. Shkoni, pra, në udhëkryqe dhe ftoni në dasmë këdo që të gjeni." Dhe ata shërbëtorët dolën nëpër rrugë, mblodhën të gjithë ata që gjetën, të këqij dhe të mirë, dhe vendi i dasmës u mbush me të ftuar. Atëherë mbreti hyri për të parë të ftuarit dhe gjeti aty një njeri që nuk kishte veshur rrobë dasme; dhe i tha: "Mik, si hyre këtu pa pasur rrobë dasme?". Dhe ai mbylli gojën. Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: "Lidheni duar dhe këmbë, kapeni dhe hidheni në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh". Sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur''.